TIRANE – Gjykata e Tiranës ka pranuar të shtunën kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest ne burg” për shtetasit Gezim Metalia dhe Rexhep Rexha, të dyshuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm”, pasi i kanë marrë një shumë parash shtetasit B.L., duke i premtuar se do ta ndihmonin për të fituar konkursin në Akademinë e Policisë.

Prokuroria bën të ditur se në vijim të bisedave të kryera mes shtetasve Gëzim Metalia, Rexhep Rexha dhe B. L, mbi dhënien e 900 eurove si këmbim për tu pranuar në Akademinë e Sigurisë, janë kryer veprimet hetimore, në bazë të të cilave ka rezultuar se më datë 24.02.2016 në orën 13:00, shtetasi B. L. është takuar me shtetasin Gëzim Metalia dhe Rexhep Rexha.

Gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre del qartë që Gëzim Metalia i thotë B.L. se për këtë fakt kishte folur me një person të quajtur Kadri, i cili ishte profesor dhe kishte marrë përsipër të kryente këtë punë kundrejt shumës prej 900 euro.

Sipas Gëzimit, ai i kishte lënë peng automjetin në pronësi të tij derisa ti shlyente shumën e premtuar. Gjatë këtij bashkëbisedimi, shtetasi Gëzim Metalia i shpjegon shtetasit B. L. se duhet të paguante shumën prej 300 euro për çdo fazë testimi (testimi me shkrim, testimi fizik dhe testi i inteligjencës), pra gjithsej 900 euro.

Edhe pas këmbënguljes së shtetasit B. L. për tu takuar personalisht me të ashtuquajturin Profesor Kadria, shtetasi Gëzim Metalia nuk ia ka plotësuar këtë kërkesë, por duke komunikuar me një person në telefon (sipas tij me profesor Kadrinë) është justifikuar me faktin se profesor Kadria ishte në Vlorë dhe nuk mund të vinte.

Pasi mbyll telefonin me “Profesor kadrinë”, ai i drejtohet shtetasit B. L., duke i thënë se nëse donin të takonin profesor Kadriun duhet të vinte në Tiranë të dielën ose të martën. Nga raportet e vëzhgimit shfaqet qartë shtetasi Gëzim Metaliaj duke marrë 300 euro.

Përpara uljes në tavolinë me shtetasin B. L., shtetasi Gëzim Metalia ka komunikuar me numrin e telefonit xxx139, të cilit me anë të një mesazhi i thotë atij: “ do vin ato të Cërrikit për shkoll, do të marr un ti je profesori emrin e ke Kadri” dhe pas kësaj bisedon edhe në telefon me këtë numër duke u shtirur sikur po fliste me profesor Kadriun. Nga verifikimet e kryera kjo bisedë është kryer me shtetasin Elton Hasanllari, i cili ka në përdorim numrin e telefonit …XXX139.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb