TIRANË

Presidenti Ilir Meta vijon betejën për godinën e Teatrit Kombëtar dhe kalimin e saj në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Ditën e sotme, Kreu i Shtetit i ka kthyer qeverisë Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit 2021, duke marrë shkasë pikërisht nga alokimi i fondit shtesë 900 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Sipas Kreut të Shtetit, alokimi i kësaj shume për Bashkinë e Tiranës është në shkelje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

“900 mln lekë për Teatrin e ri, Qeveria dhe Kuvendi vazhdojnë të miratojnë vendime nën frymën e akteve antikushtetuese. Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur, anashkaluar dhe sfiduar hapur autoritetin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese. Fondi 900 mln lekë për Teatrin e ri, akordohet për një projekt dhe pronë që nuk duhet të ishte dhe që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është më në kompetencën apo në pronësinë e Bashkisë Tiranë”, arsyeton mes të tjerash Presidenti Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb