Kreu i Kadastrës, Artan Lame, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve këtë të hënë. Ai është pyetur nga gazetarët, se sa është numri i familjeve që kanë pasur vështirësi në legalizimin e banesave.

Sipas Lames, deri më tani janë rreth 94 mijë banesa që presin të legalizohen, kjo sipas tij për disa arsye, ku përmendi ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura dhe pranë kanaleve kulluese.

“Ka një shifër të përafërt të llogaritur nga ne, me përafërsi, është rreth 94 mijë familje që kanë probleme me pamundësinë për t’u legalizuar. Sa herë që është rihapur procesi i legalizimeve, një pjesë e familjeve kanë bërë riaplikim, e kanë bërë dy herë aplikimin. Maksimalja është 94 mijë dhe zvogëlohet. Ka disa gjëra që nuk legalizohen, si brenda zonave të mbrojtura, si në Gjirokastër, Karavasta, Butrint. Përmenda vetëm zonat e mbrojtura për të mos përmendur zgjidhje të tjera. Ne po i japim zgjidhjeve ndërtimeve pa leje poshtë linjave të tensionit të lartë. Ministria e Infrastrukturës po bën zhvendosjen e linjave të tensionit të lartë. Ajo linjë do të hiqet, sepse Kamza është zonë e banuar. Nuk mund të kesh linja të tensionit të lartë në një zonë të banuar. Mund të përmend dhe kategoritë e tjera që ndalohet legalizimi. Kemi pasur në Lezhë një rast që ka bërë debat, një kanal kullues që është zënë nga shtëpi pa leje, sepse krijohen përmbytje. Pra kjo është një balancë shumë delikate mes hallit të një qytetari dhe 100 të tjerëve që preken nga ky proces”, tha Lame.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb