TIRANE

E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, deputetja e PS, Evis Kushi ka komentuar tensionet në Kuvend si dhe akuzat mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Deputetja e konsideroi si shfaqje të shëmtuar të opozitës tensionet dhe debatet në Kuvend.

“Sot pamë një shfaqje të shëmtuar të opozitës që në fillim të seancës kur mori fjalën ministrja e financave. Në atë moment deputetët e opozitës nuk lejuan zonjën Denaj të fliste. Sa herë që vjen opozita është bërë e pamundur vijimi normal i seancës së Kuvend. Kur flitet për buxhetin seancat janë të rëndësishme, por opozita i prish. Sot isha e lumtur që opozita ishte në Kuvend, pavarësisht akuzave të tyre të pabaza. Më vjen keq, por edhe kjo seancë dështoi. Berisha hodhi akuza personale ndaj Ramës. Kjo ndodh gjithmonë kur opozita nuk ka argumente”- tha Kushi.

Duke komentuar raportin e Transparency International, që thotë se Shqipëria ka rëne në luftën ndaj korrupsionit, Kushi u shpreh se në mungesa dhe bllokimi nga opozita të një sërë ligjesh reflektohet edhe në raport.

“Raporti i TI konstaton se ka rënie edhe për rajonin, jo vetëm për Shqipërinë. Korrupsioni luftohet edhe me ligje. Nëse bllokohen disa ligje nga opozita kjo reflektohet edhe në raport. Institucionet e reja në drejtësi u vonuan nga bojkoti i opozitës. Pavarësisht se ne kemi rënë me 2 pikë, ka një progres shumë të mirë në krahasim me vitin 2012. Kam besim se vitin tjetër raporti do jetë më pozitiv”- tha ajo.

Sa i përket përgjimeve të publikuara nga Zëri i Amerikës, ku pretendohet se shfaqet kreu i bashkisë të Durrësit duke ngrenë drekë me Avdylajt, deputetja e PS tha se duhet lënë drejtësia të bëjë detyrën dhe se ajo nuk e di nëse mund të quhet provë për organin e akuzës dikush që ha drekë me një tjetër.

“Unë di që çështja është në Prokurori, pasi nuk e di nëse mund të quhet provë dikush që thotë se po ha një drekë. Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet dhe nëse ka persona përgjegjës të dënohen sipas ligjit. Ne nuk mund të flasim me fjalë kafenesh. Fjalën e fundit e thotë prokuroria. Nuk e di nëse do konsiderohet provë se dikush i thotë në telefon dikujt tjetër se do  hajë një drekë me një person tjetër. Ne nuk mund ti dalim në mbrojtje dikujt që shkel ligjin.”- tha Kushi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb