Emisioni i mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” ka nisur sezonin e ri televiziv në News24, duke sjellë risi dhe një format edhe më pranë publikut. Dy moderatorët Klevin Muka dhe Megi Latifi do të jenë zërat që do të shoqërojnë shqiptarët çdo mëngjes, me informacione të freskëta dhe temat më të rëndësishme të ditës.

Programi do të vijojë me përmbledhjen e lajmeve, shtypin e ditës, telefonata nga qytetarët, intervista me të ftuar në studio dhe lidhje direkte nga terreni me gazetarin Marsel Rupi, si dhe me korrespondentët nga rrethet për të sjellë zhvillimet nga mbarë vendi.

“Koha për t’u zgjuar” ka qenë zëri i qytetarëve, duke u dhënë mundësi atyre të shprehin shqetësimet e tyre mbi çështje të ndryshme që prekin jetën e përditshme. Në shumë raste, përmes ndërhyrjes së ekspertëve të ftuar në studio, pyetjeve dhe problematikave të ngritura nga qytetarët u janë dhënë zgjidhje konkrete.

Ky sezon i ri synon ta bëjë emisionin edhe më interaktiv, duke e kthyer në një urë komunikimi mes publikut dhe institucioneve, si dhe në një burim të besueshëm informacioni për të gjithë shqiptarët që duan të nisin ditën të informuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb