“Ukraina, me mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, mund të rifitojë territoret e humbura ndaj Rusisë dhe të kthehet në kufijtë që kishte para luftës”.

Kështu u shpreh Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një mesazh të postuar në profilin e tij të Truth Social menjëherë pas takimit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork, në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Pasi e njoh dhe e kuptoj plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike të të dy palëve, dhe duke marrë parasysh problemet ekonomike që Kievi po i shkakton Rusisë, besoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është e aftë të luftojë dhe të rifitojë të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”, shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Trump vijoi se “me durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe, në veçanti, të NATO-s, kufijtë origjinalë nga të cilët filloi kjo luftë janë një mundësi reale”. “Pse jo?” pyeti presidenti.

Rusia, vazhdoi Trump ka luftuar pa qëllim për tre vjet e gjysmë një luftë që do t’i kishte marrë një fuqie të vërtetë ushtarake më pak se një javë për ta fituar. Moska, larg të qenit në qendër të vëmendjes, i ngjan “një tigri letre”, shkroi Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb