Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka mbajtur një fjalim të tensionuar në Kuvend, duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rëndë të detyrës dhe nënshtrim ndaj urdhrave politikë të kryeministrit.

Duke marrë fjalën për procedurë, Baçi e nisi adresimin e tij me kritika të forta, duke refuzuar ta quajë Peleshi “kryetar Kuvendi”, për shkak të mënyrës se si, sipas tij, është ndërprerë seanca e mëparshme.

“Mos kujto se mund të më vësh përpara duke qenë në atë karrige aty lart. Do ju drejtohesha si kryetar i Kuvendit, por… mos më ndërpre po të them,” u shpreh Baçi me tone të ashpra.

Ai e akuzoi Peleshin se ka ndërprerë seancën e fundit me një “ultimatum” të ardhur nga kryeministri, çka – sipas tij – është një precedent i paprecedentë dhe i papranueshëm në historinë e drejtimit të Kuvendit.

“Një kryetar Kuvendi që për herë të parë, ndryshe nga paraardhësit tuaj, ndërpret seancën me një ultimatum nga kryeministri, duke i thënë opozitës: ‘Nëse nuk silleni mirë, do e ndërpresim’. Nuk mund të quheni kryetar Kuvendi,” tha Baçi.

Në vijim, ai kundërshtoi pretendimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se të drejtën për të folur për procesverbalin e kishin vetëm ata që folën në seancën e mëparshme.

“Zoti Balla thotë se kush ka folur në seancën e parë mund të flasë për procesverbalin, por kush foli në atë seancë? Ne kemi të drejtë të gjithë të flasim për atë procesverbal, sepse pasqyron realitetin e munguar të asaj dite,” theksoi deputeti demokrat.

Baçi po ashtu komentoi edhe përmbajtjen e programit qeverisës, duke iu referuar çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm dhe duke kërkuar praninë e ministres Belinda Balluku për t’u përgjigjur në lidhje me problematikat në këtë sektor.

“Pashë shumë gjëra në programin tuaj qeverisës… do dal te procedura, mos më shiko ashtu që të më ndërpresësh fjalën menjëherë. Flisni për ujin e pijshëm, por do doja të ishte ministrja Balluku këtu. Është shumë serioze kjo që do them,” tha ai para se t’i ndërpritej fjala përfundimisht nga Peleshi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb