Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar me tone ironike dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë seancës plenare të sotme, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe për mashtrim ndaj opozitës lidhur me të drejtën për fjalën.

Në fjalën e tij, Korreshi kërkoi një përgjigje publike nga Peleshi për një premtim që, sipas tij, ishte dhënë kryetarit të grupit parlamentar të PD-së: që pas pushimit pesëminutësh të seancës, opozitës do t’i jepej fjala për të diskutuar.

“Shqiptarët duhet të shohin se si ju, si drejtues i Kuvendit, keni shkelur Kushtetutën me dy këmbë,” deklaroi Korreshi nga foltorja, duke e akuzuar Peleshin për njëanshmëri dhe për shmangie të qëllimshme të debatit parlamentar.

Ai shtroi dy pyetje të drejtpërdrejta, duke kërkuar sqarime mbi mosrespektimin e fjalës së dhënë dhe procesverbalin e seancës së kaluar:

“Kam nja dy pyetje për ju si drejtues. E para: Pse nuk figuron në procesverbal premtimi juaj se pas pushimit do na jepej fjala?
Dhe e dyta: A shkulin zakonisht veshin gjatë 5 minutëshit të pushimit?” tha ai, duke nënkuptuar se Peleshi ka ndryshuar qëndrim pas një ndërhyrjeje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb