Sonte dhe nesër në orën 21.00, News24 do të transmetojë 2 koncertet e edicionit të 6 të Festës së Këngës shqiptare, një aktivitet i organizuar nga kantautori i njohur Gjergj Leka në bashkëpunim me televizionin tonë.

Duke bashkuar në skenë breza artistësh, me synimin për të mbajtur gjallë traditat e mira të muzikës së lehtë shqiptare, në këtë edicion Gjergj Leka iu bën homazh emrave të mëdhenj si Pjetër Gaci, Vaçe Zela, Kujtim Laro, Aleksandër Lalo, Tonin Tërshana, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Agim Prodani e Anita Take, Kastriot Gjini, Alqi Boshnjaku, Agim Krajka, Jorgo Papingji e Kujtim Laro, Teodor Keko, Agim Doçi e Betim Muço.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në skenë, ngjiten Kozma Dushi, Alida Hisku, Rajmonda Kamberi, Zina Zdrava e Arta Babaramo deri tek më të rinjtë si Kejtlin Gjata, Dea Amoniku, Era Hasanaj e shumë të tjerë.
Një kujdes i veçantë producenti dhe organizatori i festivalit ka treguar për përzgjedhjen e teksteve të këngëve, duke gjetur një terren të pasur në vargjet e poetëve shqiptarë dhe tekstshkruesve që kanë bërë historinë e festivaleve të këngës si Jorgo Papingji, Agim Doçi, Arben Duka.
Në Festën e Këngës Gjergj Leka përcjell gjithashtu një mesazh për sulmin dhe heqjen e sinjalit të News24, duke i vlerësuar të gjithë gazetarët e televizionit si heronj. Ai u ndal te fillimet e bashkëpunimit me News24 rreth 7 vjet më parë, ku sic thotë ka gjetur lirinë e tij artistike.
Ndiqni festën e këngës shqiptare e cila do të transmetohet të shtunën e të dielën në News24 në orën 21.00 dhe do të ritransmetohet një ditë më pas në orën 14.00

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb