Më 18 Shtator, Kancelari gjerman Friedrich Merz tronditi opinionin publik, politikën, median gjermane dhe Europën me pohimin dramatik për praktikisht falimentin e shtetit social gjerman ose të mirëqenies siç njihet historikisht. Ai e tha troç se financat dhe të ardhurat e vendit nuk i përballojnë më dot nevojat sociale dhe ekonomike të popullatës! Këtë realitet e konfirmoi ditët e fundit edhe Gjykata Federale e Auditorëve, duke theksuar se shteti gjerman nuk i shlyen më dot shpenzimet e tij vetëm me të ardhurat që siguron ekonomia dhe shërbimet e vendit.
Ky lajm “bombë” përkon me përkeqësimin dramatik të treguesve kryesorë social – ekonomikë të Gjermanisë, edhe pse njihet si “lokomotiva” e ekonomisë europiane. Kështu, më 29 Gusht, Zyra Federale Gjermane e Punës lëshoi “bombën” tjetër se për herë të parë nga viti 2015, Gjermania tani ka 3 milionë të papunë. Aktualisht, çdo muaj dalin nga tregu i punës 10.000 vetë. Ndërkohë priten shkurtime të tjera masive të krahut të punës për shkak të krizës në industrinë e automobilave, ” zemreku” i industrisë gjermane, e cila bashkë me eksportin përbëjnë thelbin e modelit ekonomik gjerman. Edhe çmimet e gazit, energjisë elektrike dhe të artikujve bazë vazhdojnë të rriten, duke ndikuar edhe në shtrenjtimin e kostos së jetesës.
Gjendja bëhet edhe më e nderë për faktin se fondi i shpenzimeve sociale ze 31 për qind të GDP-së, ku pjesën e “Luanit” e zenë pensionet me 400 miliardë euro në vit dhe kur një punonjës kontribuon në sigurimin e vetëm 2 pensionistëve.
Ndaj, nëse nuk ndërmerren, ama sot, jo nesër, masat dhe reformat e nevojshme, atëherë shpëtimi do jenë borxhet që do të shtohen dhe bëhen “Mal” si në Francë.
Sipas vlerësimeve të tanishme, këto borxhe në vitin 2029 do të kapin shifrën 851 Miliard Euro! Ndërsa gjatë periudhës 2019 – 2026 këto borxhe do të shtohen në masën 75 për qind. Ç’ka do të thotë se nga shuma prej 520 Miliard Euro shpenzime në vitin 2026, 174 Miliard Euro do të sigurohen nëpërmjet huave.
Meqenëse shteti social përbën “ADN”-në e Gjermanisë moderne, kjo problematikë me efekte sizmike ka dalë në krye të axhendës politike duke shkaktuar debate, diskutime dhe dyshime brenda koalicionit qeveritar, opozita dhe publiku gjerman.
Kjo dhe sepse shteti i mirëqenies në Gjermani është modeli i famshëm që dhe më parë, por veçanërisht në 80 vitet e fundit ka garantuar paqe, begati dhe lulëzim.
Vlen të theksohet se shteti i mirëqenies është realizuar me një katalog të larmishëm me përfitime të shumta dhe të prekshmë sociale për të gjithë – pensione, ndihma sociale dhe banesa për shtresat në nevojë për një jetë dinjitoze, për nënat me fëmijë, studentët dhe azilantët. Kjo është mishëruar dhe në Ligjin Bazë Kushtetues, Neni 20 i të cilit e përcakton Gjermaninë si shtet federal dhe social.
Shteti i mirëqenies aty lindi gjatë qeverisjes së Kancelarit Otto von Bismark. Në vitin 1883 ai miratoi ligjin mbi sigurimet shoqërore, të cilat siguronin dhe mbulonin rreziqet dhe trajtimin e sëmundjeve, pensioneve të pleqërisë dhe aspekte të tjera shoqërore, me kontribute financiare të të punësuarve dhe kompanive përkatëse.
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së II Botërore, liderët dhe politikanët e rinj demokratë gjermanë ndërmuarën reforma madhore, ku në qendër të tyre ishte ringritja e shtetit të miëqënies, si trashëgimi e çmuar dhe nevojë urgjente.
Këtu luajti rolin e vet ajo që njihet botërisht si ”mrekullia ekonomike” gjermano-perëndimore e viteve 50. Më konkretisht, produkti i brendshëm bruto (GDP) u rrit vazhdimisht me 8 për qind, prodhimi industrial 150 për qind dhe i mallrave kapitale 220 për qind!. Eksportet u bënë tipari dallues, duke siguruar 25 për qind të GDP-së së vendit. Inflacioni për 18 vite rradhazi pësoi rënie deri në 2 për qind; në vitin 1957 u arrit pothuajse punësimi i plotë, duke sistemuar edhe rreth 12 milionë të tjerë të shpërngulur gjatë periudhës së Luftës. Brenda 6 vjetësh u ndërtuan 2,4 milionë ndërtesa për të pastrehët, etj, etj.
Padyshim që faktori i jashtëm më i rëndësishëm në këtë arritje madhështore mbi gërmadhat e luftës ishte Plani amerikan ” Marshall” i ndihmave. Ndërsa merita gjermane qëndron në faktin se Plani Marshall u integrua në konceptimin dhe zbatimin me sukses të “ekonomisë sociale të tregut” me ideatorin emblematik, Prof. Ludwig Erhard ( 1897 – 1977) ose “babai i mrekullisë ekonomike gjermane”.
Erhardi u vu në krye të ekonomisë së shkatërruar gjermane të pasluftës, si ministri i saj më i suksesshëm për 14 vjet, deri më 1963, kur u zgjodh Kancelar për 3 vjet.
Thelbi i kësaj “mrekullie” ishte zbatimi i ekonomisë sociale të tregut.
Sipas Erhardit, tipari i saj dallues është vlerësimi i njeriut dhe zbatimi i parimeve mbi përgjegjësinë sociale të ekonomisë, që filluan të zbatohen qysh në vitin 1949.
Elementët më të rëndësishëm të kësaj “Kushtetute” të re ekonomike ishin nxitja e pronës private, konkurencës së lirë dhe të ndershme, për një rendiment sa më të lartë, çmime tregu, heqja e ekonomisë së planifikuar, mbikqyrje qëndrore e financave për të mbrojtur monedhën, qarkullim të lirë të mallrave dhe personave, mbrojtje dhe sigurime sociale për shtresat e pambrojtura, paga te fiksuara nëpërmjet marrëveshjeve përkatëse, etj.
Siç përshkruhet në librin e tij bestseller “Mirëqenie për të gjithë (Wohlstand fϋr Alles) i cilësuar si “Bibla” e ekonomisë sociale të tregut, këto aspekte teknike u bënë të prekshme edhe për njerëzit e thjeshtë të rrugës. Kjo mbasi Erhardi thekson ndër të tjera se “50 për qind e politikave ekonomike lidhen me psikologjinë e masave të gjera të popullsisë”. Ai e njehsoi ekonominë sociale të tregut me mirëqënien e vazhdueshme për të gjithë.
Mirëpo, kjo nuk ishte e lehtë. Kalimi nga kontrolli qeveritar tek rendi i ekonomise së tregut në gjysmën e dytë të vitit 1948 u kthye në njerën prej periudhave më dramatike të historisë ekonomike gjermane. Kundërshtarët politikë arritën sa të kërkonin dhe dorëheqjen e Erhardit, duke e etiketuar atë si “kumarxhi”! Rreziku që sistemi i ri të humbiste mbështetjen masive, për shkak të barrës së rëndë fiskale ishte mjaft i madh. Veç kësaj, fillimisht pati rritje të madhe çmimesh, si rezultat i luhatjeve kërkesë – ofertë, ndërkohë që papunësia masive ishte kërcënim serioz.
Megjithatë, shteti social gjerman në vitet 50, pas ribashkimit gjerman dhe më vonë rezistoi, fitoi dhe lulëzoi, duke u kthyer në pikë të madhe reference në Europë.
Por, ai filloi të lëkundej në 10 – 15 vitet e fundit, fillimisht pas krizës së rëndë financiare që preku gjatë vitit 2008 Europën, me efekte edhe mbi Gjermaninë. Gjithsesi, goditjen më të rëndë shteti social gjerman e pësoi mbas vërshimit masiv të gati 1 milion azilantëve të huaj në vitin 2015, pas fjalisë problematike të Kancelares Merkel “Ne do t’ia dalim” (Wir schaffen dass!).
Faktori tjetër po aq negativ ishte Pandemia COVID – 19, kur Gjermania bashkë me vendet e tjera të mëdha kontribuan me mbi 300 miliard Euro për luftën kundër tij, duke përballuar dhe borxhet e përbashkëta për vendet e tjera në nevojë.
Për të ardhur pastaj te pasojat ekonomike dhe financiare pas agresionit rus kundër Ukrainës, ku Gjermania është donatori i dytë më i madh ekonomik dhe ushtarak pas SHBA-ve. Në Mars ajo miratoi fondin special prej 500 Miliard Euro për të realizuar kthesën historike në fushën e mbrojtjes, që Gjermania të bëhet ushtria më e madhe e Europës, plus 500 miliard Euro të tjera për modernizimin e infrastrukturës, etj. Po ashtu, shtimi i shpenzimeve të saj për NATO-n nga nga 2 në 5 për qind të GDP-së kërkon edhe 225 miliard euro shtesë!
Padyshim që plakja e popullsisë, rritja e ndjeshme e numrit të pensionistëve dhe pakësimi i kontribuesve kanë patur ndikimin e vet të ndjeshëm në këtë fushë.
Megjtihatë, faktori kryesor dhe përcaktues negativ ka qenë dhe mbetet moskryerja e reformave të nevojshme social-ekonomike vitet e fundit, si pasojë e mungesës së vullnetit politik dhe e ndryshimit të tri kabineteve qeveritare në 5 vitet e fundit.
Për kapërcimin e kësaj krize, e cila mund të çojë deri në falimentin e shtetit gjerman, sot po kërkohet më zë të lartë rigjallërimi ekonomik, shtimi i investimeve, “gërshëra” e kursimeve dhe rritja e kontributeve qytetare për shpenzimet sociale.
Lajm disi ngushëllues këtu është se në 10 vitet e ardhshme do të dalin në pension 19,5 milion vetë dhe do të hyjnë rrishtazi në tregun e punës 12 milion vetë, pra 7,5 million vetë më pak, me ndikim në nivelin e papunësisë.
Ndërkohë, masat e forta që po meren në fushën e parandalimit dhe kufizimit në minimum të azilit të paligjshëm pritet të kenë dhe ato ndikim të rëndësishëm në uljen e shpenzimeve dhe një shpërndarje më të drejtë të tyre. Por vazhdimi i luftës në Ukrainë ndikon negativisht në këtë fushë, pa përjashtuar ndonjë vërshim tjetër refugjatësh nga Ukraina në Europë në rastin e përkeqësimit të gjendjes atje.
Në këto kushte, krahas përshpejtimit të reformave, është hedhur ideja që dhe vetë shtetasit të kontribuojnë më shumë për të financuar shpenzimet sociale të shtetit. Mirëpo kjo ide ka hasur në shumë kundërshtime qysh te partneri social-demokrat i koalicionit që ende nuk po pajtohet dot me këtë realitet. Kështu, Ministrja Federale e Punës dhe lidere e SPD-së, zonja Bas i quajti “broçkulla” deklaratat e Merz për papërballueshmërinë financiare të shtetit social!
Mirëpo kjo fjalë iu kthye si bumerang SPD-së dhe vetë asaj në zgjedhjet bashkiake të 14 shtatorit në landin më të madh gjerman të Nord Rein Westfalisë me 18 milion banorë; ndërsa CDU e mbajti vendin e parë me 34 për qind, AfD-ja e trefishoi në 14 për qind, ndërsa SPD-ja pësoi “firo“ me dy për qind, pikërisht në ish bastionin e saj historik ku ajo ka sunduar për dekada! Ndërsa në një sondazh disa ditë më parë në nivel tashmë federal, AfD-ja renditet e para me 26 për qind, ndërsa SPD-ja ka rënë në 14 për qind! Ja pse kjo ishte “zilja e fundit e zgjimit” për SPD-në, që të reagojë lidhur me masat dhe reformat në kuadrin e shtetit social, “Atuja“ më e fortë social-demokrate, siç dhe ka filluar; por tani kërkohen vepra dhe jo më vetëm fjalë.
Ekspertë të tjerë thonë se në këtë fushë do parë dhe organizimi administrativ, mbasi 30 për qind e shpenzimeve sociale shkojnë për kostot administrative, duke filluar nga thjeshtëzimi i ligjeve dhe procedurave e jo si deri tani kur ligji për ndihmat sociale ka mbi 2000 faqe!
Kësisoj, përballimi i kësaj situate të nderë mbetet barrë dhe përgjegjësi e madhe historike për koalicionin e tanishëm qeveritar dhe Kancelarin Merz. Ndaj ai e ka quajtur këtë periudhë si “vjeshta e reformave” që duhen ndërmarrë urgjentisht, që të mos “ketë dimër dështimesh”. Ironikisht, ndryshe nga më parë kur i jepte asaj leksione, tani Berlini duhet të mësojë nga Greqia lidhur me kurajon për reforma!
Së fundi, lind pyetja e natyrshme, se kur Gjermania e zhvilluar ka këto halle dhe telashe me anën sociale, po ne ku jemi dhe ç’duhet të bëjmë? Pa hyrë në shifra, mjafton të përmendim se paga minimale në vendin tonë është 34 për qind më e ulët se ajo rajonale. Ndërsa ndihma sociale për njerëzit në nevojë është vetëm 70 dollarë, kur Kosova e ka dy herë më të lartë! Pa hyrë në tregues të tjerë, ku megjithë përmirësimet jemi të paktën 20 vite larg BE-së, kur synojmë të shkojmë më 2030.
Ja pse, kriza e rëndë e shtetit social për Gjermaninë e zhvilluar, mund dhe duhet të jetë kambanë e fuqishme alarmi dhe për politikën dhe qeverisjen e vendit tonë.
