Eksperti i çështjeve të sigurisë, Dritan Goxhaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit jo si një paqe, por si një armëpushim të përkohshëm.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Goxhaj u shpreh skeptik për qëndrueshmërinë e këtij armëpushimi, duke argumentuar se konflikti do të vazhdojë në mungesë të një zgjidhjeje të plotë politike.

“Nuk është paqe, kemi një armëpushim të akorduar dhe ende të paimplementuar. Pas pranimit zyrtar mes palëve, do të nisin hapat e parë, por kjo nuk do të thotë që lufta ka marrë fund,” deklaroi ai.

Goxhaj theksoi se nuk mund të ketë paqe reale pa krijimin e një shteti sovran palestinez, ndërsa paralajmëroi se faza e dytë e marrëveshjes mund të dështojë, për shkak të refuzimit të Hamasit për t’u çarmatosur.

“Hamasi e ka bërë të qartë që nuk dorëzon armët, dhe kështu Izraeli nuk do tërhiqet plotësisht nga Gaza. Tërheqja për gjysmë do të thotë se konflikti do të vijojë. Nëse Hamasi nuk pranon çarmatosjen, do të kemi rifillim të luftimeve,” tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb