Analisti Edvin Kulluri ka komentuar situatën në Lindjen e Mesme, pas marrëveshjes së arritur mes Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësimin e SHBA-ve, duke e cilësuar konfliktin si një çështje të ndërlikuar ku asnjëra palë nuk mund të paraqitet bardhë e zi.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Kulluri theksoi se ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur Hamasi kreu një sulm të paprecedentë ndaj civilëve izraelitë, janë momenti nga ku nisi përshkallëzimi i dhunës.

“Kjo ka nisur nga sulmi i 7 tetorit. Janë vrarë njerëz në Izrael nga Hamasi dhe janë kryer makabritete. Kjo solli përgjigjen e Izraelit,” u shpreh Kulluri.

Duke folur për qeverisjen e Hamasit në Gaza, ai e cilësoi atë si tërësisht antidemokratike, duke kritikuar tendencën për ta paraqitur si palën e pafajshme në konflikt.

“Nëse pikturojmë Hamasin si viktimë dhe Izraelin si djall, më duket pak e tepërt. Historia është komplekse, i ka të dyja anët e medaljes,” tha analisti.

Ai akuzoi Hamasin se nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin e 7 tetorit dhe se tani përpiqet të pozicionohet si një aktor paqësor.

“Hamasi nuk mori kurrë përgjegjësinë për 7 tetorin dhe tani sillen si Peace Corps, kanë vrarë fëmijë në dhoma gjumi. Hamasi janë pëllumba paqeje?” ironizoi Kulluri.

Megjithatë, ai pranoi se pasojat e konfliktit kanë qenë shkatërruese dhe joproporcionale, duke shprehur shqetësim për humbjet e mëdha në jetët civile.

“Dëmi është disproporcional dhe askush nuk është i lumtur që janë vrarë 20 mijë fëmijë në Gaza. Për mua, e drejta e çdo njeriu për të jetuar është universale,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb