Human Rights Watch (HRW) i kërkoi qeverisë libaneze të hënën të kërkojë drejtësi për një sulm ushtarak izraelit që vrau një gazetar të Reuters dhe plagosi rëndë të tjerë, përfshirë dy nga Agence France-Presse, dy vjet më parë.
Më 13 tetor 2023, një sulm vrau kameramanin e Reuters Issam Abdallah dhe plagosi gjashtë gazetarë të tjerë, përfshirë dy nga AFP – Dylan Collins dhe fotoreporteren Christina Assi, së cilës iu pre këmba e djathtë.
Hetimet e pavarura, përfshirë atë të Agence France-Presse, arritën në përfundimin se sulmi u krye nga një predhë 120 mm e qëlluar nga një top tanku izraelit. Autoritetet izraelite mohuan se kishin shënjestruar gazetarët.
Raportuesi special i OKB-së për vrasjet jashtëgjyqësore, Maurice Tidball-Bindts, vlerësoi të premten se sulmi kundër grupit të gazetarëve ishte “një sulm i paramenduar, i shënjestruar dhe i kryer në dy raste nga forcat izraelite, një shkelje e qartë (…) e ligjit ndërkombëtar humanitar, një krim lufte”.
Të enjten, qeveria libaneze udhëzoi Ministrinë e Drejtësisë të shqyrtojë mundësitë ligjore për ndjekjen penale të Izraelit në këtë rast.
Vendimi i qeverisë libaneze “ofron një mundësi të re për të siguruar drejtësi për viktimat”, tha HRW në një deklaratë. Dy vjet pas sulmit, “viktimat e krimeve të luftës në Liban vazhdojnë të mos kenë qasje efektive” në drejtësi, shtoi OJQ-ja.
“Kjo iniciativë (nga Bejruti) është një hap i parë dhe ne i bëjmë thirrje qeverisë të garantojë që procesi të ecë përpara duke dërguar një kërkesë zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) për të ushtruar juridiksionin e saj duke hetuar krimet e kryera në Liban kundër gazetarëve që nga tetori i vitit 2023”, tha Jonathan Dagger, drejtor i Lindjes së Mesme për organizatën joqeveritare Reporterë pa Kufij (RSF).
