Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, lidhur me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, dekret që u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Bylykbashi e konsideroi veprimin e presidentit si një precedent të rrezikshëm për të ardhmen kushtetuese të vendit.

“Ajo që ne kemi është krijimi i precedentëve të rrezikshëm për të ardhmen. Presidenti ka thyer urdhërimin e drejtpërdrejtë të Kushtetutës,” u shpreh ai.

Sipas deputetit demokrat, në vend që të vepronte në mënyrë të pavarur, Presidenti Begaj duhet t’i kishte kërkuar kryeministrit të mbante vendimin në pritje, deri në një interpretim të qartë nga Gjykata Kushtetuese.

“Duhej t’i thoshte kryeministrit: ‘Merre këtë vendim, por unë duhet të pres Gjykatën Kushtetuese’. Por çfarë kishte bërë më parë ai? Dekretimi i ministres me Inteligjencë Artificiale është e pamendueshme!” shtoi Bylykbashi, duke iu referuar një rasti tjetër të veprimit presidencial.

Bylykbashi shkoi edhe më tej, duke thënë se Presidenti është i paaftë për të ushtruar funksionin e tij kushtetues, pasi sipas tij, është i kontrolluar nga kryeministri Edi Rama.

“Presidenti është në pamundësi të ushtrimit të detyrës, sepse nuk e lë Edi Rama. Për mua, shkelja është e rëndë në rastin e Begajt,” përfundoi Bylykbashi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb