Nëna e një prej viktimave që humbën jetën kur u shemb çatia e stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024 në Serbi, Diana Hrka, nisi mëngjesin e së sotëm, një grevë urie përpara parlamentit në Beograd, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e fëmijës së saj.
Diana Hrka, nëna e Stefan Hrka, njërit prej 16 personave që humbën jetën në tragjedinë e Novi Sadit.
Ajo përqafoi një nga mbështetësit e saj në momentin që nisi grevën e urisë, e rrethuar nga studentë dhe qytetarë që mbështesin kauzën e saj, duke mbajtur veshur një bluzë ku shkruhej: “Nëna kundër sistemit.”
Zonja Hrka ka marrë kërcënime dhe është përballur me presione të forta gjatë vitit të fundit, për shkak të përpjekjeve të saj të pandërprera për të kërkuar drejtësi për vdekjen e djalit të saj.
Grevën e urisë ajo e cilësoi si fillimin e një faze të re proteste, pas një viti pandëshkueshmërie për shembjen e çatisë që i mori jetën 16 personave.
Hrka deklaroi se do ta vazhdojë grevën deri sa autoritetet të plotësojnë tre “kushte të panegociueshme”:
“Grevën e urisë do ta vazhdoj derisa autoritetet të përmbushin tre kërkesat që parashtroj:
Së pari, të merren në pyetje dhe të ndalohen të gjithë të dyshuarit për shembjen e çatisë, në mënyrë që të nisin më në fund gjyqet, jo vetëm për 13 personat e përmendur, por edhe për të tjerët që janë të përfshirë.
Së dyti, të lirohen të gjithë studentët e arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe të hiqen të gjitha akuzat ndaj tyre.
Dhe së treti, presidenti të shpallë zgjedhje.”
Grevë-uria po zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit Kombëtar të Serbisë (Skupstina) në Beograd dhe përbën një përshkallëzim të luftës për drejtësi, pas dymbëdhjetë muajsh protestash të vazhdueshme.
Vendimi i nënës për të nisur grevën e urisë shihet si akt i fundit i dëshpëruar proteste, pas një viti kërcënimesh dhe presionesh nga autoritetet, pa u vendosur ende asnjë përgjegjësi për tragjedinë.
