Shtatë persona humbën jetën kur një aeroplan transportues i kompanisë UPS u rrëzua gjatë ngritjes nga Aeroporti i Louisville, në Kentucky të SHBA-së, mbrëmjen e djeshme sipas guvernatorit të shtetit.

Të paktën 11 persona të tjerë u plagosën kur avioni shpërtheu gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Muhammad Ali, rreth orës 17:15 me orën lokale, duke shkaktuar re të dendura tymi të zi që u ngritën mbi qytet.

Guvernatori i Kentucky-t Andy Beshear, tha se tre anëtarët e ekuipazhit ndoshta janë mes viktimave dhe shtoi se “kushdo që ka parë pamjet dhe videot e aksidentit e kupton sa e dhunshme ka qenë kjo përplasje”.

Autoritetet paralajmëruan se disa nga të plagosurit kanë lëndime shumë të rënda dhe se numri i viktimave mund të rritet.
Fluturimi 2976 i UPS-it, me destinacion Honolulu-n e Havait, mbante 38.000 gallonë (rreth 144.000 litra) karburant kur doli nga pista dhe u përplas me ndërtesa afër aeroportit.
Shpërthimi shkatërroi të paktën dy ndërtesa, përfshirë një kompani riciklimi nafte.
Fillimisht, banorëve në një rreze prej pesë miljesh rreth aeroportit iu kërkua të qëndronin në shtëpi për shkak të rrezikut nga shpërthime të tjera dhe ndotje e ajrit, por më pas kufiri u ngushtua në një milje.

Të gjitha fluturimet e mbrëmjes së së martës u anuluan, sipas një njoftimi të aeroportit në platformën X (ish-Tëitter).
Shefi i zjarrfikësve të Louisville-it, Brian O’Neill, tha se zjarri është pothuajse nën kontroll, por ekipet vijojnë të punojnë në vendngjarje.

“Kur ndodh një incident i përmasave kaq të mëdha, me një zjarr që përhapet në një zonë të gjerë, duhet të angazhojmë qindra persona për ta rrethuar, kufizuar dhe shuar ngadalë,” tha ai.
Sipas tij, zjarrfikës të trajnuar nga e gjithë zona po kërkojnë me kujdes për çdo mundësi të mbetur viktimash.
Në një konferencë për shtyp, guvernatori Beshear paralajmëroi qytetarët të mos afrohen në vendin e aksidentit, pasi aty ende ka materie të rrezikshme dhe potencialisht shpërthyese.

Ai theksoi se nuk do të bëjë hamendësime për shkaqet e rrëzimit dhe se hetimet do t’i zhvillojë Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Transportit (NTSB).
Ekipi hetimor i NTSB-së pritet të mbërrijë në Kentucky të mërkurën.

Shefi i policisë së Louisville-it, Paul Humphrey, tha se zona e rrëzimit do të mbetet nën hetim për disa ditë, duke shtuar: “Nuk e dimë ende sa kohë do të duhet që vendi të jetë plotësisht i sigurt për hetuesit.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb