Në Konferencën e Kryetarëve të mbajtur sot në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për hetimin e përdorimit të fondeve IPARD, duke theksuar se kjo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe një mekanizëm kontrolli parlamentar që nuk mund të pengohet.

Bardhi u shpreh se kërkesa e opozitës nuk bie ndesh me hetimin penal të nisur nga Prokuroria, por përbën një proces të pavarur administrativ në kompetencat e Kuvendit.

“Ne nuk dublojmë punën e Prokurorisë. Fakti që Prokuroria thotë se ka hetim penal, tregon se ekziston një problematikë. Kjo është thënë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Prokuroria ka punën e vet, ndërsa Kuvendi ka fushat e veta, Kuvendi bën hetim administrativ,” deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se Konferenca e Kryetarëve duhet të miratojë me konsensus përbërjen e komisionit dhe datën e mbledhjes së parë, duke kujtuar se ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese e 1/4 së deputetëve propozues.

“Nëse keni një pretendim për objektin, sillni një formulim alternativ, por nga sa pashë, nuk keni asnjë shqetësim për objektin. Për sa kohë nuk ka shqetësim, ne duhet të miratojmë me konsensus përbërjen e komisionit dhe caktimin e datës kur do të mblidhet. Kaq mund të bëjmë ne. Na e ka thënë Gjykata Kushtetuese, ngritja e komisionit është e drejtë kushtetuese e 1/4 të propozuesve,” tha Bardhi.

Duke akuzuar mazhorancën për pengim sistematik të mekanizmave të kontrollit parlamentar, Bardhi paralajmëroi se mosmiratimi i kërkesës përbën shkelje të Kushtetutës dhe dhunë ndaj opozitës.

“Ka mbetur vetëm një muaj nga mbyllja e sesionit, dhe ju nuk keni pranuar asnjë mekanizëm kontrolli të opozitës, duke zhdukur parlamentarizmin. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe ‘dhunë’ ndaj opozitës,” përfundoi ai.

“Ne nuk dublojmë punën e Prokurorisë. Fakti që Prokuroria thotë se ka hetim penal tregon se ekziston një problematikë. Kjo është thënë edhe nga GJK-ja; Prokuroria ka punën e vet, ndërsa Kuvendi ka fushat e veta. Kuvendi ka hetim administrativ. Pretendimet e juaja janë të pa baza. Nëse keni një pretendim për objektin, sillni një formulim alternativ, por sa pashë, nuk keni shqetësim për objektin. Për sa kohë nuk ka shqetësim, ne duhet të miratojmë me konsensus përbërjen e komisionit dhe caktimin e datës kur do të mblidhet komisioni. Kaq mund të bëjmë ne. Na e ka thenë gjykata kushtetuese. Ngritja e komisionit është e drejtë kushtetuese e 1/4 të propozuesve. Kaq e thjeshtë është kjo. Konferenca e Kryetarëve nuk ka asnjë kompetencë tjetër. Dhe po ju sjell ne vemendje Kryetar se ka edhe 1 muaj nga mbyllja e sesionit dhe ju nuk keni pranuar asnje mekanizem kontrolli te opozites duke zhbere parlamentarzimin. Dhe kjo eshte shkelje e kushtetuetes dhe “dhunë” ndaj opozites”, tha Bardhi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb