Miliona banorë në Ukrainë po përjetojnë errësirë dhe të ftohtë, pas sulmeve masive ruse me qindra drone dhe dhjetëra raketa ndaj infrastrukturës energjetike gjatë fundjavës.
Autoritetet njoftojnë ndërprerje të planifikuara deri në 16 orë në ditë në shumicën e rajoneve, ndërsa ekipet e riparimit punojnë pa pushim për të rikthyer furnizimin.
“Të gjithë po punojnë ditë e natë. Mijëra njerëz po stabilizojnë sistemin,”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një video-mesazh dje në mbrëmje.
Në Kharkiv metroi u mbyll për dy ditë, por u rihap sot. Rajoni mbetet pa energji në pjesën dërmuese.
Në Poltava, Dnipro dhe Kyiv sulmet goditën termocentrale, nënstacione dhe linja transmetimi. Kapaciteti i prodhimit ra në zero në disa zona.
Drone të reja dhe raketa hipersonike Kinzhal vazhduan goditjet, duke rrezikuar edhe centralet bërthamore.
Zyrtarët ukrainas thonë se Moska synon të nxisë shpërngulje masive duke lënë lindjen e vendit pa drita e ngrohje në prag të dimrit të ashpër.
Në Detin e Zi, forcat ruse shkatërruan katër anije pa pilot ukrainase pranë portit Tuapse, një pikë kyçe për eksportin rus të karburanteve. Një prej tyre shpërtheu sot pranë bregut, duke dëmtuar ndërtesa, por pa viktima.
Porti ka pezulluar eksportet pas sulmeve ukrainase më 2 nëntor, ndërsa hekurudhat ruse shtynë kufizimet deri më 13 nëntor.
Lufta e energjisë po ashpërsohet: Rusia do të dobësojë popullsinë, Ukraina synon të presë fondet e luftës ruse. Dimri sapo filloi, dhe beteja për dritën vazhdon.
