Falë mbështetjes së programit EU4Innovation, një nismë e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), dhe e zbatuar nga nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Suedeze në Tiranë, gjithnjë e më shumë sipërmarrës shqiptarë po e kthejnë pasionin dhe idetë e tyre në biznese të suksesshme.

Kjo mbështetje, nëpërmjet edhe komponentit Challenge Fund, i cili zbatohet në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, po ndihmon njerëz të zakonshëm të krijojnë vende pune, të forcojnë komunitetet e tyre dhe të çojnë produktet shqiptare përtej kufijve.

Në Divjakë, Arbëri, një i ri me shumë pasion për tokën, ka ngritur një biznes prodhimi të vajit të ullirit. Ai ka arritur jo vetëm të punësojë njerëz nga komuniteti i tij, por edhe të eksportojë produktet shqiptare në Dubai, Zvicër dhe Holandë. Për të, çelësi i suksesit qëndron në krijimin e një zinxhiri të drejtë, ku fermerët shpërblehen siç duhet dhe cilësia vendoset në qendër. Historia e tij tregon se inovacioni dhe cilësia e produkteve lokale mund të hapin rrugë drejt suksesit ndërkombëtar.

Në Dimal, Rakipi solli një ide të pazakontë nga një udhëtim pune në Azi. Ai vendosi të prodhojë sfungjerë ekologjikë nga bima luffa. Në fermën e tij 1.6 hektarëshe, ai kultivon bimën dhe më pas e përpunon në ambientet e kompanisë. Sipas tij, ndryshe nga sfungjerët plastikë që duan rreth 500 vite për t’u shpërbërë në natyrë, produkti i tij është plotësisht ekologjik. Kështu, nga një ide e thjeshtë lindi një biznes që respekton mjedisin dhe frymëzon të tjerët të ndjekin shembullin e tij.

Po aty, në Dimal, Zerina Goga ka ndërtuar një biznes të vogël prodhimi të salcave të domates natyrale, pa aditivë, që ruajnë shijen autentike të produkteve të freskëta. Ajo kujdeset që çdo detaj të jetë miqësor me mjedisin, madje ka vendosur një marrëveshje me klientët për t’u kthyer kavanozët e qelqit pas përdorimit. Ato sterilizohen dhe rikthehen sërish në qarkullim, një ide që Zerina e konsideron “jo vetëm ekologjike, por edhe ekonomikisht e mençur”.

Në Berat, fryma e këtij transformimi ndjehet ndryshe, por po aq fort. Aty, në një biznes pastrimi të themeluar nga Mimoza Bujaraj, një sipërmarrëse vendase, tri breza grash, një zonjë e moshuar, një nënë e divorcuar me dy fëmijë dhe një maturante, kanë gjetur një mundësi të re për t’u pavarësuar financiarisht. Kompania e tyre ofron shërbime për klientë të ndryshëm, përfshirë edhe biznese të vogla të turizmit.

Për to, puna nuk është vetëm një burim të ardhurash, por edhe një mjedis i ngrohtë ku ndihen të vlerësuara dhe të mbështetura. Kjo histori tregon fuqinë që ka një mundësi e dhënë në kohën e duhur.

Në vizitat e zhvilluara në kuadër të projektit morën pjesë edhe Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, dhe Niklas Ström, Ambasadori i Suedisë në Shqipëri.

Znj. Heikkinen theksoi se: “Këto iniciativa tregojnë se fondet e BE-së kanë një ndikim real në terren, duke kthyer idetë e sipërmarrësve në biznese të suksesshme dhe vende pune. Inovacioni është çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë.”

Ambasadori Ström vlerësoi gjithashtu përpjekjet e sipërmarrësve shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e inovacionit dhe investimeve të qëndrueshme për rritjen ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

Me një fond prej 10 milionë euro, programi EU4Innovation synon të forcojë ekosistemin e inovacionit në vend, të ofrojë financime për biznese premtuese dhe të nxisë bashkëpunimin midis universiteteve, sektorit privat dhe institucioneve publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb