Aktivistja transgjinore Luana Myrto, e ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar miratimin e fundit të ligjit për barazinë gjinore në Parlament, duke e cilësuar një hap pozitiv, por që sipas saj kërkon kujdes të veçantë për të shmangur abuzimet dhe keqinterpretimet në zbatim.
“Njeriu është i lirë të zgjedhë dhe unë kam bërë një zgjedhje. Me apo pa dëshirën time, u futa në një labirint dhe do mbaj përgjegjësitë e mia,” u shpreh Myrto.
Ajo theksoi se ligji duhet të parashikojë një dokument shoqërues për personat transgjinorë, në mënyrë që të shmangen vështirësitë burokratike dhe diskriminimi gjatë lëvizjeve jashtë vendit.
“Ky ligj duhet të japë hapësirë për një dokument që njeh ndryshimin tënd, që kur kalon kufirin të mos kesh probleme. Shumë persona trans përballen me pengesa vetëm për shkak të identitetit në letërnjoftim,” tha ajo.
Megjithatë, Myrto paralajmëroi për mundësinë e abuzimeve me ligjin, nëse nuk identifikohen boshllëqet ligjore që mund të shfrytëzohen në mënyrë të gabuar.
“Ndodh një ngërç, mund të jesh kriminel i veshur si grua dhe të përfitosh. Duhet të identifikohet ky problem. Ky është ngërci i vetëm që shoh,” sqaroi ajo.
Në përfundim, aktivistja u shpreh me sinqeritet për identitetin e saj, duke theksuar se pranon realitetin biologjik, por kërkon respekt për zgjedhjen e saj jetësore: “Gjinia ime është mashkull. Nuk gënjej veten që të them se nuk kam lindur mashkull. Thjesht kam zgjedhur të jetoj ndryshe dhe dua që kjo të respektohet”.
