Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i është rikthyer sërish bashkëpunimit ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke u ndalur kësaj here te kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Sipas portalit maqedonas 4news.mk, Vuçiç deklaroi se, bazuar në disa indekse amerikane, kapacitetet e FSK-së vlerësohen më të fuqishme se ushtritë e Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
“Nuk e them unë këtë, është këndvështrimi i tyre, jo i imi”, u shpreh ai, duke theksuar se bëhet fjalë për vlerësime të mbështetura në analiza ndërkombëtare dhe jo në qëndrime personale. Aktualisht, kreu i shtetit serb ndodhet në Indi, ku po merr pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale. Gjatë qëndrimit atje, mediat raportojnë se ai ka zhvilluar takime me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin kroat Andrej Plenković.
Vuçiç ka përsëritur shqetësimin e tij se aleanca mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është krijuar në një kohë kur, sipas tij, ekzistojnë gjasa për një konflikt të mundshëm në Europë në të ardhmen, si dhe në një kontekst të shënjestrimit të Rusisë.
Deklarata të ngjashme ai bëri edhe më 13 shkurt nga Mynih, ku theksoi se “kërcënimi më i madh për Republikën e Serbisë është aleanca ushtarake Kroaci-Prishtinë-Tiranë”.
