TIRANE – Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e konsideron shoqërinë shqiptare të pasigurtë ditët e sotme duke marrë shkas nga sulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala
E ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, ajo tha se reforma për drejtësi nuk po ecën si duhet, dhe prandaj sot kriminelët kanë aq guxim sa të qëllojnë me armë mbi gazetarët.
“S’do bëj as rolin e prokurorit as polices, por dua të prek mënyrën si merren institucionet me ngjarjen. Nga ana tjetër thuhet që Reforma në Drejtësi u ngjalli frikën kriminelëve, ça frike? Kujt kriminelëve? Shikoni si sulmohet gazetarja.
Kemi dhe një lloj indiference, më shpejt reaguan ndërkombëtarët, se institucionet tona. Është e rëndë trimëria dhe guximi që gjejnë për të goditur mbi një shtëpi, se të frikëson. Duke qenë gazetare e kronikës së zezë është në kontakt me policinë e prokurorinë.
Edhe pak bëhen gati 48 orë dhe asgjë s’është zbuluar. Këta njerëz që sulmojnë kanë përkrahje të madhe që e bëjnë këtë veprim. Këtu po arrestohen dy persona se zihen për fjalë goje, ndërsa këta qëllojnë me armë e nuk kapen.
Nëse nuk do ketë një ndalim të shkaktarëve të kësaj, atëherë do të ndodhin shumë, siç kanë ndodhur për ngjarje që ende nuk janë zbardhur. Shoqëria s’është e sigurtë,” tha Kryemadhi.
e.f/BalkanWeb
