TIRANE- Ndërkohë që jemi pranë datës kur Shqipëria do të marrë një përgjigje për hapjen apo jo të negociatave për anëtarësim në BE, thotë se ka ende vende skeptike. Në një konferencë për mediat, pas takimit me kryeministrin Rama, kancelari Kurz tha se Shqipëria ka bërë hapa përpara në rrugën drejt integrimit.

I pyetur nëse do të çelen negociatat për Shqipërinë në qershor, kancelari austriak Sebastian Kurz nuk mund të japë një përgjigje të qartë se kur do të ndodhë kjo gjë, por tha se vendi ynë është në rrugën e drejtë drejt integrimit dhe e meriton.

“Ka disa shtete anëtare të BE që për shkak të problemeve të tyre të brendshme e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, të tonë po. Por duhet të theksojmë se Shqipëria ka bërë shumë në këto vite. Negociatat janë në rrugë të mirë. Do ta shohim këtë gjë, nuk mund t’u japë përgjigje të qartë apo siguri të qartë për këtë, dhe siç e tha dhe kryeministri ka disa shtete anëtare të BE që për shkak të çështjeve të Brendshme çojnë në faktin që e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri që të shkojë drejt rrugë së reformave. Ajo ka bërë shumë në rrugën e integrimit vitet e kaluara dhe negociatat e pranimit janë drejt një rrugë të mirë dhe ka mundësi të mirë po nuk e di kur mund të merret ky vendim. Është drejtë një rruge të mirë dhe Komisioni e ka thënë këtë dhe kjo është ajo që vlen”, tha Kurz.

Ndërkaq, kancelari austriak është ndalur edhe tek çështja e emigracionit të paligjshëm. Ai tha se Austria do të ofrojë mbështetje ndaj Shqipërisë, edhe nga ana financiare, për të ndalur fluksin e emigrantëve.

“Kryeministri më ka kërkuar ta mbështesë dhe i kam thënë që do e mbështesim fortë Shqipërinë, mbështetje financiare për Shqipërinë po dhe vende të tjera që të luftojmë migracionin ilegal. Do e mbështesim dhe në marrëdhëniet bilaterale, me policë të rinj. Së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme do të marrim kontakt me kryeministrin, që së bashku me partnerë të tjerë të BE të ndjekim një rrugë bilaterlae që fluksin e emigrantëve ta ndalojmë para se të shtohen më shumë”, tha Kurz.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri Rama tha se:

“Kemi një fluks që rritet në mënyrë shqetësuese po për momenitn ka qenë tërësisht i kontrolluar prej nesh por na duhet bashkëpunim i ngushtë dhe i mnenjëhershëm për të shmangur skenat që tronditën Europën në vitin 2015 dhe kemi dakordësi të plotë për një bashkëpunim të ngushtë me Austrinë dhe vendet e tjera të interesuara për këtë proces”.

Kreu i qeverisë shqiptare foli për projektin e tregut të përbashkët të Ballkanit, të nisur prej tij dhe Vuçiç dhe mbështetjen e Austrisë në këtë projekt.

“Kemi folur dhe për pritshmëritë tona nga presidenca austriake e BE në 6 muajt e ardhshëm dhe dëshirojmë që të bashkëpunojmë për të shtyrë më tutje projektin tonë të lançuar nga unë dhe presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçic për tregun e përbashkët në Ballkanin Perëndimor gjë për të cilën jam falënderues që kryeministri ka shprehur interesin dhe mbështetjen e tij”, tha Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb