Ky është viti kur mazhoranca qeverisëse pritej të bënte bilancin e sukseseve të mandatit të parë qeverisës. Dhe sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shumë pritej që Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim të bindnin shqiptarët se e meritonin edhe një mandat tjetër sëbashku. Por e kundërta po ndodh. Palët më shumë se në “drejtimin e duhur”, po investohen në “drejtimin e kundërt”, si e si t’iu mbushin mendjen shqiptarëve që mezi kanë pritur zgjedhjet për të dëshmuar se sa e vështirë ka qenë mbajtja në këmbë e këtij koalicioni.

Dhe për të bërë një përmbledhje të gjithë asaj çfarë po zien prej kohësh brenda “tenxheres me presion” PS-LSI, mjafton t’i referohemi zhvillimeve të muajve të fundit brenda kampit qeverisës.

Pa filluar ende mirë viti, ishte Petrit Vasili që sfidoi Edi Ramën, pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve, duke deklaruar votat e LSI-së pro mbylljes së lojrave të fatit. Deklaratë kjo që erdhi fill pasi shefi i qeverisë tha se për këtë çështje nuk kishte mazhorancë.

Ishte sërish, Petrit Vasili, që shfrytëzoi një debat në opinionin publik lidhur me koncertin e Ansamblit Filarmonik Vjenez, për të kritikuar sërish qeverinë për shpenzimet e mëdha, që siç tha ai: më mirë do ishte të investoheshin diku tjetër.

Me profil të ulët deri në këtë moment, Edi Rama dhe PS-ja duket se zgjodhën përkeqësimin e situatës nga moti për t’ia kthyer “flakë për flakë” reston LSI-së. Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj u vu në shënjestrën e ciklonit të akuzave, për mënyrën sesi po menaxhohej situata nga kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve.
Debati shkoi deri atyre sa deputeti socialist Pjerin Ndreu dhe zëdhënësi i Metës, nuk e patën të sikletshme të shkëmbenin edhe replika të ashpra në rrjetet sociale.

Por kur temperaturat e motit filluan të riteshin, ato brenda koalicionit vazhdonin të shkonin disa në disa gradë nën zero. Në një dalje për mediat, një nga figurat më kryesore të PS-së, Taulant Balla publikisht e refuzoi rolin e arbitrit që LSI-ja, siç deklaroi Luan Rama, kërkoi të lunate në diskutimet për reformën zgjedhore, veçanërisht në debatin për listat e hapura e votimin elektronik.

Në këtë situatë, LSI u kundërpërgjigj me ministrin e saj “grindavec” Ylli Manjani, që në një studio televizive, edhe pse një anëtar i qeverisë, sulmoi afrimin e PS-së me PDIU-në kur tha se “në pushtet kemi ardhur me Ben Blushin dhe jo me Shpëtim Idrizin”.
Dhe për të mos mjaftuar kjo, rinia e LRI-së, mbushi portalet me slloganet “Meta kryeministër”. Në mungesë të një përgjigjeje direkte nga Rama, LSI-së ia ktheu reston kësaj here, PDIU-ja që nëpërmjet Mesila Dodës i kërkoi Metës të mos fliste si Shvejku por të pozicionohej qartë, “o në qeveri, o në opozitë”. Deklaratë që u pa qartë se i shkonte për shtat edhe Edi Ramës, që zgjodhi të replikonte me aleatin kryesor, nëpërmjet mesazheve të koduara nga selia e PDIU-së.
Gjithçka u duk se po normalizohej kur Ilir Meta në “Studio e hapur” në News 24 rrëzoi dilemat që qarkullonin deri në ato çaste kur pohoi para kameras, jo një, por disa herë se nuk do të bënte koalicion me PD-në.
Pasi bëri këtë deklaratë ai mori avionin për në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump-it si President i SHBA-ve, ku ishte ftuar zyrtarisht.

Por me rikthimin nga Amerika, Meta riktheu edhe debatet brenda koalicionit kur befas i dërgoi një kërkesë publike Presidentit të Republikës, për të mbledhur me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen e Klement Balilit. Në tekstin e letrës edhe pse e thënë jo aq drejtpërdrejt, Meta nuk kursente kritikat e drejtpërdrejta në adresë të Policisë që sipas tij, me paaftësinë e saj nuk kishte mundësuar ende kapjen e “Eskobarit të Ballkanit”.

Një lëvizje taktike kjo që ashtu siç pritej nuk mund të kapërdihej lehtë nga PS-ja dhe veçanërisht ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që gjithashtu nxitoi të përgjigjej në mënyrën e tij, duke lënë qartë të kuptohej se si Nishani ashtu edhe Meta po bëheshin qesharakë në sytë e opinionit me mbledhjen e këtij Këshilli.

Ky reagim i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit, pasi vetëm pak orë pas këtij qëndrimi të Tahirit, LSI u kundërpërgjigj me akuza mjaft të ashpra dhe shumë të rënda të ministrit Lefter Koka në adresë të PS-së dhe Policisë së Shtetit, nga lidhja me bandat tek tentative për të prishur zgjedhjet.
Një tjetër detaj u bë publik. Petrit Vasili kishte mbledhur grupin e deputetëve dhe kryebashkiakëve të LSI-së në një mbledhje sa këshilluese aq edhe denoncuese për policinë: “të keni kujdes makinat se mund t’ja u mbushin me drogë”. Një akuzë kjo e rëndë dhe që vështirë se mund të kapërdihet aq lehtë brenda koalicionit.
Por a është kjo një linjë që zyrtarizon fundin e aleancës Rama-Meta? Është ende herët por as shumë vonë për të kuptuar përgjigjen.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb