Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari foli në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për faktin se pjesë e operacionit “Shpirti”, ku u sekuestruan tonelata me drogë, ishin edhe dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Hajdari tha se është shumë shpejt për të thënë nëse dalja e tyre në dosjen e trafikut të drogës Shqipëri-Itali mund të ndikojë tek ish-ministri Tahiri, duke shtuar se duhen pritur provat nga prokuroria, si dhe duhen marrë ata në pyetje.

Më tej, ish-prokurori Hajdari paralajmëroi se do të ketë goditje zyrtarësh në vijim dhe një gjë e tillë, sipas tij, do të duket shumë normale, duke pasur parasysh vendimin e SHBA për të shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha “non grata”, ndonëse ky i fundit është një politikan mjaft i fuqishëm, raporton “BalkanWeb”.

“Nuk e dimë sa ndikim mund të ketë dalja e ish-shoqëruesve te Saimir Tahiri në dosjen e trafikut të drogës. Është shpejt, ato akoma nuk kanë dhënë shpjegimet e tyre. Do të shikojmë çfarë provash ka prokuroria për to dhe sigurisht do të pyeten edhe ato. Duhet parë nëse ato kanë pasur bashkëpunim me ish-ministrin e Brendshëm. Duhet të presim të qartësohen gjërat gjatë hetimit, është gabim i madh të mbajmë krah tani. Ato persona akoma nuk janë arrestuar, nuk janë pyetur. Deri më tani, prokurorët kanë paraqitur para gjykatës ato prova për të marrë masën e sigurisë, por ato presin prova nga përtej Atlantikut. U nxor tani, pasi tani erdhën materialet nga Italia. Prokuroria nuk punon me plane. Deri më tani dimë që kemi zyrtarë të përfshirë në trafik droge. Nëse nga hetimi provohet që këto zyrtarë kanë lidhje me politikanët, sigurisht që mund të kemi edhe këta të fundit të përfshirë. Kjo është një tronditje e madhe.

Tani njerëzit në Shqipëri e kanë marrë seriozisht, është shtuar frika për zyrtarët e shtetit që janë të ekspozuar. Edhe nëse rregullojnë ca punë këtu në fshatin tonë, punët prishen kur droga kalon përtej detit dhe dosja të vjen nga atje. Nga momenti kur SHBA shpalli ‘non grata’ Berishën dhe familjen e tij, pas këtij rasti çdo emër zyrtari që do të dalë në dosje, do të jetë normale. Mos harroni që Berisha është i pushtetshëm, dhe të tjerët para tij do të duken normal. Shpallja e tij ‘non grata’ ishte lajm i papritur, por për mendimin tim SHBA i bën veprimet në kohën e duhur, vendin e duhur. Është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne duhet të fuqizojmë shumë Ministrinë e Bujqësisë dhe Turizmit, në mënyrë që të kuptojnë se me hashashin nuk kanë asnjë të mirë, por të mirat i sigurojnë nga bujqësia, blegtoria, mjalti, etj.”, tha ish-prokurori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb