Partia Socialiste ka deklaruar shpeshherë se kërkon të fitojë të gjitha bashkitë, por për Sekretarin e Përgjithshëm Damian Gjiknuri, kjo nuk duket e realizueshme.

“Ne nuk do t’i fitojmë të gjitha bashkitë, pavarësisht se dëshira është e tillë, por kjo shkon në kufijtë e absurdit.”, -i tha zoti Gjiknuri gazetares Elona Meço në intervistën e tij për emisionin “Pa censurë”.  Numri 2 i PS konfirmoi rifreskimin e kandidaturave për kryetarë bashkish, megjithëse akoma nuk është vendosur sesa e thellë do të jetë ndërhyrja. “Zgjedhjet do të jenë kompetitive, pasi kemi qenë gjatë në pushtet, por mendoj që, nisur nga alternativat që janë në terren dhe nga figurat që përfaqëson opozita, mendoj se PS prapë do të jetë  e avantazhuar dhe do të arrijë sukses elektoral të ngjashëm me atë të vitit 2015.”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS.

Zoti Gjiknuri beson se përpara zgjedhjeve nuk duhen ndryshime në qeveri dhe se dozat e kriticizmit të deputetëve si Fatmir Xhafaj tregojnë sa demokratike është PS. “Nuk besoj se qeveria duhet të ndryshojë para zgjedhjeve vendore. Nuk do të ishte i dobishëm. Ato janë një test përpara, ku do të testohen edhe shumë politika të qeverisë dhe mendoj që pas zgjedhjeve vendore i takon kryeministrit të gjykojë se çfarë duhet ndryshuar. Ne e mbështesim kryeministrin në vendimmarrjet e tij.”- theksoi zoti Gjiknuri, i cili i përgjigjet edhe pyetjes nëse është më mirë në PS apo në qeveri.

Elona Meço: Ju keni deklaruar objektivin për të fituar të gjitha bashkitë. Do të hyni ne zgjedhje me të njëjtët kryetarë bashkie apo një pjesë e tyre duhen rifreskuar?

Damian Gjiknuri: Një pjesë është logjike që po, pasi as ne nuk do t’i fitojmë të gjitha bashkitë, pavarësisht se duam t’i fitojmë. E dyta një pjesë e kandidatëve duhet të jenë kandidatë të rinj, sepse ky është një proces. Nuk besoj se të gjithë kandidatët do të rikonfirmohen, siç nuk them se nuk do t’i fitojmë të gjitha bashkitë pavarësisht se dëshira është e tillë. Por kjo shkon në kufijtë e absurdit.

Elona Meço: Rifreskimi do të jetë me 1/3-ën, ¼, gjysëm, më shumë se gjysmën? Si e mendoni këtë process?

Damian Gjiknuri: Çfarë vlere ka kjo për publikun? Unë them se do të ketë rifreskim.  A është 1/3 apo 1/4, gjysma, më shumë, është një proces që po bëhet. Mendoj që do të ketë një pjesë të konsiderueshme që mund të kemi kandidatë të rinj.

Elona Meço: Ju keni qenë drejtues i qarkut të Vlorës. A është e drejtë të përjashtohet nga partia një kryebashkiak, sepse nuk pranoi të kandidojë si deputet?

Damian Gjiknuri: Nuk dua t’i kthehem këtij debati, sepse e kam stërsqaruar. Kam një vit që jam larguar nga qarku i Vlorës. Kryetari i bashkisë mori disa vendime sipas interesit të tij, duke mos respektuar paktin apo detyrimin që kishte ndaj forcës politike që e kishte vënë kandidat në një qytet që dominohet  nga e majta dhe që në zgjedhjet e vitit 2019 nuk kishte as kundërshtar. Besoj se duhet të fokusohemi tek i riu.

Elona Meço: Patjetër tek i riu, por kjo tregon sesa demokratike është vendimmarrja në partinë tuaj.

Damian Gjiknuri: Divorci politik është gjë shumë demokratike, është një nga elementët që matet si demokraci në shoqëri sot.  E drejta e divorcit është e drejta më normale.

Elona Meço: Problemi këtU qendron tek mosbindja ndaj urdhrave dhe ndjekja e vullnetit.

Damian Gjiknuri: Nëse qeveria do ta kishte shkarkuar kryebashkiakun për këto motive, do të ishim në kushtet që thoni ju.

Elona Meço: Atëherë do të ishte vënë në lëvizje Gjykata Kuhstetuese, pasi këto nuk janë motive ligjore.

Damian Gjiknuri: PS riskoi që në zgjdhjet e përgjithshme të mos kishte në krah kryetarin e Bashkisë së Vlorës, por qytetarët e Vlorës na mandatuan me të njëjtat mandate si në 2017.

Elona Meço: Pak më parë ju prekët një nga çështjet që ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, mohimin e votës nga republikanët ekstremiste. Por qe demokrattë të shkojnë drejt humbjes së Dhomës së Përfaqësueseve dhe të mbajnë Senatin në fije të perit  ndikoi inflacioni Mendoni që gjendja e vështirë ekonomike, rritja e çmimeve mund të ndikojë negativisht për rezultatin e PS në zgjedhje?

Damian Gjiknuri: Është një faktor që e vështirëson garën, por nuk mendoj se do të jetë faktori vendimtar, pasi ne përditë u shpjegojmë qytetarëve dhe ata e kanë kuptuar se inflacioni nuk varet nga qeveria. Jo nga papërgjegjeshmëria e financave publike, por nga lufta në Ukrainë dhe faktorë të tjerë të jashtëm pas pandemisë.  Ajo që i takon qeverisë është të ndihmojë njerëzit në nevojë, në çdo lloj mënyre. Të adresojë shtresat që preken më shumë, gjë që qeveria është duke e bërë dhe të tregojë përgjegjshmëri më shumë në financat publike. Edhe këtë qeveria po e bën, pavarësisht sulmeve. Në politikë sulmet janë mëse normale. Mendoj se zgjedhjet do të jenë kompetitive, pasi kemi qenë gjatë në pushtet, por mendoj që, nisur nga alternativat që janë në terren dhe nga figurat që përfaqëson opozita, mendoj se PS prapë do të jetë  e avantazhuar dhe do të arrijë sukses elektoral të ngjashëm me atë të vitit 2015.

Elona Meço: Analizat brenda dhe jashtë vendit vënë në dukje se korrupsioni është një nga problemet madhore të qeverisjes. A e shihni qeverinë të konsumuar në mandatin e saj të tretë?

Damian Gjiknuri: Fjala konsum varet nga konotacioni që e përdor. Çdo qeveri kur është gjatë në pushtet, në dukje, patjetër që krijon konsumimin e saj, por jo konsum që nuk jrijon rigjenerim njëkohësisht.

Elona Meço: E konsumuar nga korrupsioni

Damian Gjiknuri: Patjetër që gjatë qeverisjes mund të ketë mosrealizime, por njëkohësisht, ka edhe politika të reja, lëvizje njerëzish dhe PS  eka treguar veten që ka qenë e guximshme dhe në ndryshimin e ekipeve qeveritare, në ndryshimin e njerëzve në dretimin e punëve në Shqipëri, por edhe çdo lloj politike vihet në një kontekst krahasues se sa mundësi ke për ta bërë, sa të rënda janë gabimet dhe sa reflekton. Po t’i marrësh këta vektorë që janë tregues të përgjegjshëmrisë së një qeverie, besoj se shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin. Mendoj se PS përtej kritikave që mund të ketë, është prapë, partia më e fortë, më demokratike, me asetet më të mra njerëzore dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe që e ka treguar veten që merr vendime dhe përballon situata. PS dhe Edi Rama kanë treguar se në situata të vështira kanë ditur të navigojnë anijen në dallgët e mëdha të oqeanit të ngjarjeve.

Elona Meço: Megjithatë, Fatmir Xhafaj vazhdon të jetë kritik dhe të enjten në parlament tha se qeveria duhet të jete më e përulur, më transparente, të luftojë korrupsionin? Pra lë të kuptojë se nuk I ka këto tre tipare. Ndani një mendim të ngjashëm me zotin Xhafaj?

Damian Gjiknuri: Kjo reflekton varietetin e mendimeve që ka brenda PS. Mendoj se qeveria është mjaftueshëm transparente dhe efikase për të përballuar situatat që ka, por mund të ketë deputetë që tregojnë doza kriticizmi dhe kjo tregon për të kundërtën e asaj që ju thatë se PS nuk është demokratike. PS është demokratike.

 

Elona Meço: E di që ndryshimet në kabinetin janë prerogativë e kryeministrit, por, edhe për konsumin që folëm pak më parë, mendoni se ka nevojë për ndryshime në qeveri para zgjedhjeve?

Damian Gjiknuri: Jo! Nuk besoj se qeveria duhet të ndryshojë para zgjedhjeve vendore. Zgjedhjet vendore janë një test përpara, ku do të testohen edhe shumë politika të qeverisë dhe mendoj që pas zgjedhjeve vendore i takon kryeministrit të gjykojë se çfarë duhet ndryshuar. Nga kjo pikëpamje jam indiferent. Përkundrazi, mbase shkoj në pikën që përpara zgjedhjeve vendore, nuk besoj se do të ishte i dobishëm ndryshimi i qeverisë. Ky është mendimi im personal, thashë që tagri është i kryeministrit dhe ne e mbështesim kryeministrin në vendimmarrjet e tij.

Elona Meço: E ndieni veten më mirë në PS apo në qeveri?

Damian Gjiknuri: Njeriu në politikë duhet të ketë një pamje 360 gradë për të testuar veten, për të kuptuar edhe limitet e pushtetit, edhe avantazhet e pushtetit. Kështu që kjo është një eksperiencë tjetër për mua. Siç ishte në qeveri një eksperiencë e mrekullueshme, megjithë sfidat dhe me shumë netë pa gjumë, edhe partia ka sfida të tjera dhe që unë e ndiej veten që do ta bëjë këtë punë. Se sa mirë do ta bëj, koha do ta tregojë. E rëndësishme është që gjithmonë t’i thuash vetes a bëra gjënë e duhur dhe a dhe maksimumin për të bërë gjënë e duhur. Nganjëherë edhe mund të dështosh, edhe mund të kesh sukses, jeta ka shumë të papritura, por e rëndësishme është që u përpoqe të bësh diçka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb