TIRANE

E ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, deputetja e PS-së, njëherësh anëtare e komisionit të reformës zgjedhore, Klotilda Ferhati u shpreh se gjithë qëllimi i këtij komisionit, që në formimin e tij në krye të herës, ka qenë përshtatja me standardet më të mira ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve, sipas modeleve më të mira të sygjeruara nga ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë.

“ Janë çështje të cilat i shërbejnë rritjes së besimit të publikut te sistemi zgjedhor. Ky ka qenë që në krye të herës qëllimi kryesor, që ne të rrisim besimin e publikut te sistemi zgjedhor. Komisioni nuk është një komision i ri, por është një komision tashmë i cili është rikompozuar në përbërjen e tij sepse kolegët ish deputetë të opozitës nuk janë më anëtar të këtij komisioni, për efekt të veprimit të tyre të heqjes dorë, apo të djegies së mandateve dhe për këtë arsye deputetë të rinj të opozitës kanë zëvendësuar vakancat e lëna bosh nga ish kolegët deputetë, si edhe është shtuar në objektin e punës së komisionit një cështje tjetër që ka të bëjë me çështje që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor.”- u shpreh Ferhati.

Deputetja e PS, komentoi ndër të tjera punën e bërë deri më tani nga Komisioni i reformës zgjedhore, për të cilin tha se deri në momentin që flasim ka prodhuar një sërë aktesh dhe ka vendimmarrje për çështje të caktuara, që ishin në punë tij, ku veçoi teknologjinë e informacionin në në proceset zgjedhore, apo bërja efektive e barazisë gjinore në procesin zgjedhor, ashpërsmin e sanksioneve në lidhje me financimet e paligjshme të partive politike në fushatat zgjedhore, si edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Ferhati theksoi se ç’ka është bërë deri më sot do të jetë baze e punës së komisionit dhe do të përmirësohen e zgjerohen në përputhje me interesin më të lartë publik dhe do të gjejnë një akord politik të palëve.

Lidhur me kërkesën e deputetëve të rinj të opozitës në parlament për ndryshim të sistemit zgjedhor, Ferhati tha se edhe kjo kërkesë është së fundi pjesë e punës së këtij komisioni.

“Qëndrimi i PS-së është që nëse aktorët politik në vend dëshirojnë që kjo cështje të diskutohet, mbase ka kaluar kohë që ky Kod Zgjedhor që është në fuqi është miratuar dhe i ka dhënë efektet e veta dhe mund të analizohen anët e mira anët jo aq të mira në mënyrë që të shihet sa i shërben interesit publik dhe si mund të përmirësohet nëse është nevoja.

Pra, ka nevojë edhe për të bërë disa analiza, por në momentin kur një kërkesë e tillë lind nga aktorët politik në vend, i takon atij që është në maxhorancë, në këtë rast PS, të jetë e hapur në përqasjen e vet për t’i lënë rrugë të lirë një debati gjithëpërfshirës politik, në mënyrë që të gjithë aktorët politikë të kenë hapësirën për të shprehur mendimin e tyre, argumentat e tyre, analizat, që të diskutohet realisht a kemi nevojë për ndryshime apo jo. Dhe nëse do të kemi nevojë për ndryshime cilat do të ishin ato që do ti përkonin më shumë interesit më të lartë publik. Dhe në diskutime të tilla është shumë e rëndësishme të marrin pjesë të gjithë aktorët politikë. Dhe kur them aktorët politikë, nuk janë vetëm ata që janë të përfaqësuar në Kuvend, po janë të gjithë ata të cilët kanë një lloj legjitimiteti përfaqësues brenda një shteti.” – theksoi Ferhati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb