Megjithëse njeh 13 tetorin si datë kushtetuese për zgjedhjet lokale, Partia Demokratike nuk do regjistrohet për të qenë pjesë e tyre. Nënkryetari Edi Paloka, thekson se për demokratët kusht i panegociueshëm është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.

“Për ne dekreti i presidentit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga institucionet, pjesëmarrja apo jo e PD lidhet me rrethana të tjera. Për ne nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, për ne të rëndësishme janë standardet. “Pozicioni i PD nuk ka ndryshuar ne asgjë, dhe as i opozitës ne përgjithësi. Sot kërkesa për largimin e Edi Ramës nuk është me vetëm e PD dhe as vetëm e opozitës, janë mbi 85% e shqiptareve qe kërkojnë largimin e Ramës. Rama si kryeministër nuk mund te ulet ne tavoline me PD dhe me opozitën.”

Zyrtari i lartë demokrat nuk kursen akuzat ndaj anëtarëve që përbëjnë shumicën në KQZ, që sipas tij kanë detyrimin ligjor të respektojnë dekretin presidencial dhe të organizojnë zgjedhjet m 13 tetor.

“Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të kërkesës së disa partive për pjesëmarrje në zgjedhje kërkoi të zhvillonte mbledhjen e KQZ. Dhe cila ishte përgjigja e Denar Bibave? Përgjigja ishte ajo e Edi Rames, që ne jemi në plazh. Dmth jo vetëm nuk zbatohet ligji dhe kushtetuta, por sfidohet me arrogancë dhe cinizëm”-tha ai.

Ndërkohë që kanë nisur procedurat për marrjen e detyrave të kryebashkiakëve të rinj, nënkryetari demokrat i akuzon ata si grabitës e vandalë.

“Se ata kanë marrë edhe pozitat e grabitësit të vërtetë, i thyejnë dyert, i thyejnë me arrogancë më dhunë për të treguar që edhe atë që po marrin po e marrin me dhunë, se kushdo e di që vetëm me zgjedhje nuk kanë hyrë në ato zyra”-pohoi Paloka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: