Ministrja për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 përjashtoi mundësinë që kandidati i propozuar nga maxhoranca të jetë ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Ajo theksoi se ende nuk kanë nisur negociatat dhe diskutimet. Mes të tjerash ajo pohoi se PS i ka votat për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës, duke zëvendësuar kështu Ilir Metën, të cilit i mbaron mandati më 24 korrik të këtij viti.

“Konferenca e kryetarëve mbahet në 29 prill. Kemi 5 raunde për votimin e presidentit, siç e përcakton kushtetua. Para këtij procesi, duhet të nisë procesi i negociatave, diskutimeve për profilin e presidenti të ri. Ne shpresojmë që me diskutime me 3 grupet parlamentare, do të gjejmë dakordësi për zgjedhjen e presidentit. S’ka emra sot dhe nuk ka se si të ketë. Ende nuk e kemi nisur. Së bashku me kolegët, Gjiknuri dhe Balla dhe me grupin parlamentar, do të presim kontributin e deputetëve tanë, të kryetarëve të grupeve. Jemi të hapur për zëra nga shoqëria civile, për një president që kur të flasë të dëgjohet nga të gjithë dhe kur të shkruaj te ketë kuptim ajo që thotë. Mos të jetë i përfshirë në debatet e politikës. Të mos nxisë dhunë në proceset elektorale dhe të jetë një president që të jenë krenarë të gjithë. Anonime do të jenë propozimet e deputetëve. Ende nuk i kemi administruar formularët e parë. Është një formular me 3 emra, që ata japin propozimet e tyre. Nuk i kemi administruar ende. ne nuk i kemi ç’i bëjmë opozitës, ne mund të bëjmë më të mirën që procesi të ndjekë afatet kushtetuese. Vota është gjë tjetër. Se di kush i hedh këto ‘shashka’ apo ia hedhin të tjerët. Nuk ka asnjë shans që zoti Basha të jetë president. Ne na duhen dyert të hapura, jo të blinduara. Më kujtohet aksioni i PD-së Nga “Rama ik” në ‘Urra iku Basha”. Basha-Berisha janë dy anët e një medalje që sido që ta hedhësh, janë humbje të dyja. As gurin as arrën nuk e ka PS, ka votat dhe legjitimitetin për ta çliruar rolin e Presidentit të Republikës, një njeri që e kanë mbyllur në kafaz dhe mezi pret të dalë në arenën e politikës.”, tha Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb