Njeriu i parë që mund të nisë aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut mund të jetë Arsim Sinani.

Sinani njihet në Shkup si një profesor universitar dhe analist politik. Ai ka punuar për një kohë të gjatë, pas luftës, në gazetën Epoka e Re. Sinani është doktor në Shkenca Politike dhe ka qenë një nga kritikët më të mëdhenj të BDI-së në pushtet.

Për disa kohë Arsim Sinani ishte analist politik në emisionet politike të TV21 Maqedoni. Më herët ishte zëdhënës i Universitetit Shtetëror të Tetovës me rektor Sadi Bexhetin. Sinani vjen nga një familje e shquar patriotike nga Tetova, është djali i të ndjerit Ramadan Sinani, ish i burgosur politik, profesor universitar, publicist dhe poet. Kjo familje dha për kombin një dëshmor djalin Visar Sinanin gjatë rastit të Brodecit, i vrarë nga forcat policore maqedonase. Ai ishte student i Fakultetit Juridik, Universiteti i Prishtinës.

Shtirja e Lëvizjes Vetëvendosje edhe në Maqedoninë e Veriut ka qenë një temë e përfolur shumë përpara dhe pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Gjithcka ngeli në një thashethem, derisa Albin Kurti tha se do të hapë zyrë politike në Shkup, pas Prishtinës.

Sipas VV-së dhe Kurtit, synimi i tyre kryesorë është që të kenë shtrirje gjithandej ka jetojnë shqiptarët. Por, kush do të jenë nismëtarët e Lëvizjes në RMV? Edhe pse fillimisht është përfolur e do të ketë figura të ndryshme dhe të reja që do të jenë “truri” i parties, raporton Express.

Përveç Sinanit sipas burimeve në këtë nismë do të ketë edhe emra të tjerë dhe zyrtartisht mësohet se do të jenë edhe ish deputeti i PDSH-së, Bekim Qoku njëherësh edhe anëtar i ASH-së së Ziadin Selës.

Më herët shtrirjen e VV-së në vend para disa muajve e komentuan edhe subjektet politike. BDI tha se skena politike është e hapur, por vota shqiptare është mjaft e coptuar në Maqedoni dhe se ardhja e tyre, do të mundësonte edhe më shumë copëtimin e saj.

Lëvizja BESA pati deklaruar se nuk kanë dëgjuar për një iniciativë të tillë, por edhe nëse ka është e drejt legjitime dhe demokratike që të garohet në një proces zgjedhor. ASH-ja e Selës e cilësoi si “lajm të mirë” shtrirjen e tyre, duke iu uruar mirëseardhjen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb