Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv në FSHF komentoi në emisionin e Radio Tirana për botërorin me kolegët Dëfrim Methasani, Dritan Lundra e Xhevdet Zekaj botërorin e këtij viti, mënyrën sesi po e ndjek atë dhe suprizat.

“Për mua është një boteror suprizash, do të doja të shihja Italinë në këtë botëror, por në mungesë të ekipit italian, Franca, është ekipi që po më tërheq me lojën e vet. Pavarësisht kësaj, duket se ka qenë një botëror suprizash. Ekipe që ndoshta do të vinim bast se nuk do të ecnin, janë duke zhvilluar superndeshje, aq sa, ekipet e Evropës, që ne i ndjekim kaq shumë, po bëjnë tanimë llogaritë. Një ekip i mrekullueshëm i Arabisë Saudite, pse jo, Japonia, apo Ekuadori, Kosta Rika e Tunizia. Një mrekulli të shohësh ndeshjet dhe impenjimin maksimal për cdo dyluftim të lojtarëve më me emër në botë” tha Basha në linjë telefonike.

Kolegët Zekaj dhe Lundra kërkuan të dinin më shumë për një tjetër realitet, diskutimet për kreun e ri të stolit të kombëtares shqiptare.

Basha 2

“Kombëtarja shqiptare e ka një trajner, ai është Eddy Reja dhe misteri ka drejtuar një grup shumë të mirë lojtarësh. Kombëtarja shqiptare ka elementë cilësorë, dhe puna vazhdon ende nga gjithë stafet tona në FSHF për të qenë në nivelin e pritshmërive të publikut shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, që gjej rastin ti uroj të gjithë për festën e 28 nëntorit. Në diskutimet tona në Komitetin Ekzekutiv, ende nuk ka ardhur procesi për diskutimet nëse do vazhdojë Reja, apo nëse do ketë kandidatë të tjerë për stolin e kombëtares. Kur të ndodhë, padyshim media do të ketë aksesin që duhet. Sepse kombëtarja shqiptare është e të gjithëve”.

Por kur pyetet nëse Kombëtarja shqiptare do të jetë ndonjëherë në Botëror, Basha tha me batutë: “Ëndrra janë, edhe dalin! Por gjithsesi, ne kishim ëndërr Evropianin dhe e bëmë realitet në 2016. Pse jo? Eshtë shumë e vështirë padyshim. Janë ekipet më të mira të botës. Por gjithsesi, do të ketë një formulë tjetër, do të shtohen ekipet. Pse jo të shpresojmë! Me punë e vullnet mund të arrihet gjithçka. Cilësinë e lojtarëve e kemi. Duhet shumë punë”, tha Basha.

Presidenti i FSHF Armand Duka, presidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi dhe Basha si anëtare e Komitetit Ekzekutiv zgjodhën një kopësht në qytetin e Vlorës për të uruar shqiptarët për Festat e Nëntorit.

Basha 1

“Ka një simbolikë të veçantë dhe ky aktivitet: Kur thua Flamuri, Kombëtarja, gjithmonë të vjen ndërmend shprehja: O sa mir me qen Shqiptar! Ne zgjodhëm fëmijët, sepse pikërisht dhe në FSHF punojmë shumë për masivizimin e këtij sporti. Projektet tona “Uniforma Ime” apo “Topi im” janë incentiva që mbështesin fëmijët për të hyrë në botën e futbollit dhe për tu dhënë atyre bazën e duhur materiale që të ndjekin pasionin dhe ëndrrën e tyre. Janë projekte që u bëjnë mirë të gjithëve, fëmijëve, prindërve, komunitetit, kombinuar me projektin 100 fushat. Ndaj duke ju falenderuar, gjej rastin ti uroj të gjithë futbolldashësit, dhe në vecanti Vajzat, që duan të luajnë lojën e bukur të futbollit: Sa më shumë angazhim, dhe gëzuar 28 nëntorin” përfundoi Basha intervistën e saj radiofonike në Radio Tirana.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb