Teksa nesër pritet që të kalojë në Kuvend për votim komisioni i Posaçëm për Antikorrupsionin, opozita ka paralajmëruar se do të votojë kundër. Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, sekretari i përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, deklaron se nuk mund të ulen në një tryezë me ata të cilët i kanë akuzuar për korrupsion apo abuzime me tenderat dhe PPP-të.

Ai është shprehur i ashpër sa i takon ish-zyrtarëve të PS që janë në burgim apo në kërkim, që kanë pasur një të shkuar kriminale.

“Nuk ka gjë më tallëse për opozitën, për shqiptarët, se si një njeri që kriminalizoi çdo qelizë të shtetit shqiptar, që fshihet pas kësaj afere dhe të vijë sot dhe të lajë duart dhe të thotë; ‘nuk isha unë që vodha apo shkatërrova unë Shqipërinë dhe tani do të jem kalorësi i antikorrupsionit’. Kjo është fyese për shqiptarët.

Ndaj këtë të drejtë nuk mundet opozita t’ja japë të drejtë vetes. Ky moment do të na bënte baltë të gjithëve dhe do të na njësonte të gjithëve në sytë e qytetarëve. Ai që e zhyti, nuk mund të thotë; jam shpëtimtari. Si mundet unë Osman të shkoj dhe të ulem në një komision të ‘qeverisjes së mirë’?! Kjo qeveri e kthehu Shqipërinë në Kolumbi! Shqipëria e koncesioneve na qenka Shqipëria e qeverisje së mirë. Shqipëria e Bajrave, Durim Bamit dhe Abdylëve qenka Shqipëria e anti-krimit. Si mund të pranojë opozita që Shqipëria që ka kaq grupe kriminale që ishin shtabe elektorale të PS, sot do u jepkan zgjidhje.”, tha Noka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: