Zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj ka treguar se në ç’fazë është qeveria me miratimin e legalizimit të hashashit për përdorime farmaceutike.

Ai tregoi se aktualisht ndodhen në fazë diskutimesh me shtete më të zhvilluara e shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete.

“Këshillimi Kombëtar është një risi. Mënyrë e re e qeverisjes me qytetarët pas ligjit që ne kaluam në Kuvend disa muaj më parë për platformën e bashkëqeverisjes. Nëpërmjet Këshillimit Kombëtar kemi shtuar instrument publik. Pas rezultateve të Këshillimit Kombëtar, qytetarët dhe pjesëmarrja ka qenë shembullore, ata kanë marrë vendime së bashku me qeverinë për çështje të rëndësishme. Ato janë në analizë të plotë me institucionet. Ka elementë. Ka çështje të luftës kundër evazionit fiskal, që ka të bëjë me deklarimin e pagave. Kjo gjë është domethënëse. Ka edhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me kanabisin mjekësor. Jemi duke u konsultuar me shumë shtete të zhvilluara, se si funksionon kjo rëndom në vendet e Evropës dhe Rajonit. Sigurisht me këtë konsultim do të maturojmë shumë shpejt draftligjin dhe do të vijojmë procesin”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tregoi më tej se në vjeshtën e këtij viti do të përfundojë procesi i rindërtimit. Ndërkohë, përjashtim do të bëjë zona e Kombinatit.

“Një institucion publik të jetë i rëndësishëm për luftën e policisë. Jemi në proces rindërtimi të pallateve në zonën e Kavajës dhe të Durrësit. Në Durrës, Bashkia pas vlerësimeve që bëhen ka kërkuar edhe një financim rreth 60 mln dollarë për të përmbyllur rikonstruksionet. Kemi marrë vendim për shkollat. Pasi kemi zgjidhur problematikat në qytetet e mëdha dhe territoret e zonave të thella po vazhdojmë edhe me shkolla të vogla si në Bago të Kavajës. Procesi i rindërtimit është në fazë të avancuar. E keni parë turin e kryeministrit. Procesi vijon të jetë transparent. Bashkitë, si ajo e Tiranës dhe fondi shqiptar i zhvillimit janë në transparencë të plotë. Veç disa institucioneve publike, pjesa më e madhe e rindërtimit mbaron në vjeshtë të këtij viti. Do të vijojmë me Kombinatin që është në proces, sepse kanë pasur përparësi momentale, por gjithsesi s’kanë ecur me ritmin e siteve të tjera”, u shpreh zv.kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: