Për ministren e Jashtme Olta Xhaçka, e parë në sytë e ndërkombëtarëve Shqipëria është një vend shumë dinamik. E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, Xhaçka tha se ndërkombëtarët na shohin realisht ashtu siç jemi: ‘një vend me një vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të përparuar drejt asaj që në fakt është destinacioni ynë i natyrshëm duke qenë një enklavë e Evropës”- theksoi ajo. Ndërsa foli për vështirësitë e marrjes së këtij vendimi nga vendet e BE, Xhaçka tha se uron që Maqedonia e Veriut të kapërcejë ngërcin me Bullgarinë në mënyrë që dy vendet të ecin të bashku drejt aspiratës për familjen europiane.

“Ka shumë arsye që të imagjinohet nje ndarje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke qenë se ngërçi është midis saj dhe Bullgarisë sa i takon miratimit të kornizës negociatore dhe vendosjes së datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe duke qenë se jemi bashkë, është një proces që na frenon edhe ne. Megjithatë, pavarsisht se jemi bashkë, është një proces ku vlerësimi për secilin vend ndodh nga meritat e gjithësecilit dhe KE ka bërë një vlerësim shumë pozitiv për të dyja vendet. Ka dhe një raport të përditësuar që nuk është ende zyrtar por nga kontaktet me partnerët na thonë që ështe tërësisht pozitiv dhe shumë inkurajues për avancimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces, ndaj ne gjykojmë që për shumë arsye edhe sepse mund të themi që aspirata e Shqipërisë dhe MV parashikon dhe aspiratën për integrimin e gjithë rajonit si një rajon që duhet të jetë ekskluzivitet strategjik i BE. Besoj që me shumë konsensus, me shumë bashkëpunim edhe falë ndihmës që na kanë dhënë partnerët dhe të gjitha vendet anëtare të BE të cilat janë mbështetëse te procesit të integrimit, besoj që do ta kalojmë ngërçin dhe problematikën e MV me Bullgarinë për të avancuar bashkarisht në këtë proces dhe do të ishte gjëja më e mirë.”- tha Xhaçka.

Pjesë nga Intervista:

Nisida Tufa: Znj. Me çfarë sysh shihet Shqipëria? Flasim për një vend që ka edhe rrugën e tij drejt BE-së me qëllimin për të çelur negociatat me BE-në, nga ana tjetër sapo ka mbyllur zgjedhjet e 25 prillit, gjatë takimeve që zhvilloni, në udhëtimet që bëni, në sytë e ndërkombëtare, si është Shqipëria?

Ministrja Olta Xhaçka: Në sytë e ndërkombëtarëve Shqipëria është një vend shumë dinamik që ka bërë një rrugë të jashtëzakonshme drejt përparimit, drejt demokratizimit, drejt evropianizmit, drejt reformimit të çdo sfere të jetës. Patjetër refoma shumë të rëndësishmë administrative, ligjore, vërtetë transformuese për demokratizimin e vendit dhe të institucioneve të tij. Është një vend që e mbështet fuqimisht ëndrrën Evropiane, është një vend ndoshta si askush tjetër që nuk ka absolutisht asnjë grupim apo parti politike apo entitet që të jetë kundër integrimit apo të jetë euroskeptik le të themi, pra është një vend që e mbështët endrrën e integrimit Evropian  me shumë forcë, me shumë guxim dhe me shumë vullnet do të thosha sepse, të paktën të pasurit e kësaj ëndrre dhe të menduarit që kjo ëndërr është plotësisht e realizueshme, është ajo që na shtyn të përballojmë edhe zhvillime që jo shpesh janë të lehta, janë zhvillime të domosdoshme por që kanë koston e tyre, që asocohen me vështirësitë e tyre edhe reformat të rëndësishme që kemi ndërmarrë, posaçërisht reforma në drejtësi. Kështuqë ndërkombëtarët na shohin realisht ashtu siç jemi, një vend me një vullnet dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të përparuar drejt asaj që në fakt është destinacioni ynë i natyrshëm duke qenë një enklavë e Evropës, duke qenë pjesë e Evropës, të synohemi, të integrohemi, në këtë familje të madhe si Evropianë pra, jo si e eksportuar Shqipërinë në Evropë por, duke importuar Evropën këtu dhe duke jetuar realisht sipas standarteve më të mira evropiane si evropianë brenda kufijve tanë.

Nisida Tufa: Ne çfarë vendimi presim? Çfarë pritet të marrë Shqipëria gjatë muajt qershor?

Ministrja Olta Xhaçka: Në mars të vitit të kaluar, siç e dini, Këshilli Evropian vendosi për hapjen e negociatave. Tani presim miratimin e kornizës negociuese dhe vendosjen e datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që do të hapë de facto negociatat, pra bisedimet për të vazhduar. Është vetëm fillimi i një rruge shumë të gjatë të më shumë kushteve, të më shumë detyrave, më shumë reformave që realisht duhet të marrim për t’u bërë pjesë e BE-së kur koha të vijë.

Nisida Tufa: Por a do të kemi më pak skeptikë, si është situata me vendet që mund të na bllokojnë?

Ministrja Olta Xhaçka: Shiko, çështja e proçesit të integrimit Evropian, domethënë procesi është realisht kompleks sepse nuk ka vetëm komponentin e tij teknik por ka edhe komponentin e tij politik. Siç ka një komponent objektiv, ka dhe një komponent subjektiv dhe është një proçes që përfshin shumë palë, përfshin edhe vendet që aspirojnë siç në rastin tonë është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përfshin institucionet që kanë përgjegjësinë për të vlerësuar objektivisht progresin, problemin e aspirantëve në këtë proces integrues që është Komisioni Evropian dhe pastaj është edhe Këshilli i Evropës cili duhet të marrë një vendim unanim dhe në Këshill bëjnë pjesë 27 vende anëtare të BE-së, procedurat e të cilave, kur marrin vendime nuk ngjasojnë me njëra- tjetrën. Disa mund të marrin një vendim bazuar mbi vlerësimet e Komisionit Evropian, disa përpara se të japin verdiktin e tyre, duhet t’i kalojnë përmes disa proceduarave parlamentare. Të gjitha këto e komplikojnë këtë proces sepse ka vende që ndoshta ju mund t’i thoni skeptike, të cilat për shkak të këtyre procedurave që duhet të kalojnë për të marrë një vendim, fusin atje shumë konsiderata, kalkulime që në thelb janë politike, kombëtare të vendit të tyre që nuk ka të bëjë a i kemi përmbushur kushtet ne si aspirantë në këtë proces që nuk ka të bëjë i kemi bërë apo jo detyrat ne siç duhet kemi avancuar në këtë proces me ritmin e duhur apo jo por a të bëjë edhe me konsiderata politike, edhe me kalkulime politike edhe me konsiderata që mund të jenë subjektive në këtë proces qe nuk vijnë domosdo nga ata që janë përgjegjës për një vlerësim objektivë të këtij procesi por nga të gjitha këto ndryshore të këtij ekuacioni të ndërlikuar. Ndaj dhe bëhet më e vështirë dhe komplekse vendimarja në raste të tilla.

Nisida Tufa: A do të jetë e lidhur Shqipëria me Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e integrimit drejt BE?

Ministrja Olta Xhaçka: Shpesh më drejtohet kjo pyetje. Ka shumë arsye që të imagjinohet nje ndarje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke qenë se ngërçi është midis saj dhe Bullgarisë sa i takon miratimit të kornizës negociatore dhe vendosjes së datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe duke qenë se jemi bashkë, është një proces që na frenon edhe ne. Megjithatë, pavarsisht se jemi bashkë, është një proces ku vlerësimi për secilin vend ndodh nga meritat e gjithësecilit dhe KE ka bërë një vlerësim shumë pozitiv për të dyja vendet. Ka dhe një raport të përditësuar që nuk është ende zyrtar por nga kontaktet me partnerët na thonë që ështe tërësisht pozitiv dhe shumë inkurajues për avancimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces, ndaj ne gjykojmë që për shumë arsye edhe sepse mund të themi që aspirata e Shqipërisë dhe MV parashikon dhe aspiratën për integrimin e gjithë rajonit si një rajon që duhet të jetë ekskluzivitet strategjik i BE. Besoj që me shumë konsensus, me shumë bashkëpunim edhe falë ndihmës që na kanë dhënë partnerët dhe të gjitha vendet anëtare të BE të cilat janë mbështetëse te procesit të integrimit, besoj që do ta kalojmë ngërçin dhe problematikën e MV me Bullgarinë për të avancuar bashkarisht në këtë proces dhe do të ishte gjëja më e mirë.

Nisida Tufa: Ne e dime që çelja e negociatave dhe anëtarësimi janë gjëra të ndryshme. Me çeljen e negociatave, çfarë përfiton Shqipëria?

Ministrja Olta Xhaçka: Shqipëria që tani është pjësë e shumë programeve, projekteve si vend me statusin e kandidatit dhe që t’iu japë një shembull nëse në mars të 2020 nuk do të kishim pasur një vlersim pozitiv të Këshillit për të hapur negociatat me Shqipërinë, ne nuk do të kishim përfituar dot nga fondi i solidaritetit i  cili u ngrit dhe u implementua për të adresuar problemet dhe pasojat e pandemisë nga i cili kemi mundur të përfitojmë një pjesë të vaksinave për të asistuar një problematikë qe vinte si pasojë e pandemisë por që kishte pasoja edhe për ekonominë e vendit pra, që impaktonte të gjithë qytetarët shqiptarë. Patjetër që me avancimin në këtë proces, mundësitë do të jenë shumë më të mëdha. Këto programe dhe projekte, por dhe aksesi ne fonde investimesh, do të jetë shumë më madh dhe Shqipëria do të këtë shumë më tëpër për të përfituar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb