Talibanët janë duke transformuar zinxhirin e tyre komandues në një strukturë qeverisëse për Afganistanin, por në sprovë janë aleancat dhe konfigurimet fisnore, që kanë mbajtur bashkë dy fraksionet rivale të grupit, gjatë viteve të fundit.

“Pushtimi i një vendi është gjithmonë pjesa e lehtë. Sundimi i tij, në rastin e Afganistanit, është gjëja më e vështirë”, thotë historiani William Dalrymple, ekspert për rivalitetet fisnore pashtune.

Eksperti i sigurisë në Afganistan, Ted Callahan, thotë se vendimet që tani po merren nga talibanët për strukturën qeverisëse, do të përcaktojnë nëse lëvizja mbetet e bashkuar apo do të ndahet në çifligje rajonale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se shfaqja e mundshme e çifligjeve të talibanëve është një pyetje që ai dhe shumë ekspertë të tjerë tani janë duke e bërë.

Dalrymple thotë se “copëtimi” është ai që i ka ndodhur Qeverisë muxhahedine të Afganistanit, pas tërheqjes sovjetike më 1989.

“Komandantët rajonalë të muxhahedinëve kanë përfunduar në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe kanë luftuar me njëri-tjetrin në Kabul”, gjatë fillimit të viteve 1990, kujton Dalrymple për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk është e pamundur që kjo të mos ndodhë tani [midis fraksioneve rivale talibane]. Por, kjo është një pyetje, së cilës askush nuk është në gjendje t’i përgjigjet tani”, thotë Dalrymple.

Sipas tij, “një nga gjërat që ka habitur shumë vëzhgues perëndimorë, është se sa koherentë dhe të disiplinuar kanë qenë talibanët deri më tani”.

Ndarjet fraksionale
Ndarjet fraksionale kanë filluar të shfaqen midis këshillit udhëheqës të talibanëve në Kueta dhe komandantëve militantë më në lindje, pas vdekjes së themeluesit të talibanëve, Mullah Mohammad Omar, në vitin 2013.

Rezultati ka qenë një riorganizim i gjerë midis fraksioneve talibane në Afganistan dhe Pakistan – veçanërisht midis grupeve të vijës së ashpër, si rrjeti Hakani, që donin t’i përshkallëzonin luftimet, dhe udhëheqësve më të moderuar talibanë, që kërkonin ujdi me Kabulin dhe Islamabadin.

Shenjat e përçarjes kanë qenë të dukshme në maj të vitit 2014, kur Radio Evropa e Lirë ka raportuar se udhëheqësi i rrjetit Hakani, Sirajuddin Haqqani, ka urdhëruar ndjekësit e tij që mos t’iu binden urdhrave të këshillit në Kueta.

Ndërkohë, djali më i madh i Mullah Omarit, Mullah Mohammad Yaqoob, ka kërkuar mbështetje nga aleatët e tij në këshillin e Kuetas, për të përmbushur ambicien e tij personale për t’u bërë udhëheqës suprem i talibanëve.

Pasi Hakani ka kundërshtuar idenë e Mullah Yaqoobit për t’u bërë udhëheqës suprem, është dukur se talibanët kanë qenë në prag të shpërbërjes.

Por, përçarja është zgjidhur, së paku përkohësisht, me kompromise brenda një zinxhiri të ri komandues të talibanëve.

Tre poste zëvendësdrejtuese janë krijuar nën udhëheqësin suprem të talibanëve, por mbi këshillin e Kuetës.

Mullah Yaqoob është bërë nënkryetar përgjegjës për operacionet ushtarake në 13 provinca, të emëruara si “zona perëndimore” të talibanëve. Ato përfshijnë edhe kryeqytetin tradicional të talibanëve, Kandaharin.

Haqqani është emëruar nënkryetar që mbikëqyr operacionet ushtarake në 21 provinca të “zonave lindore” të talibanëve. Luftëtarët e tij tani kontrollojnë Kabulin.

Posti i tretë i zëvendësudhëheqësit është krijuar për bashkëthemeluesin e talibanëve, Abdul Ghani Baradar. Ai është anëtar i këshillit të Kuetës, i liruar nga një burg pakistanez në vitin 2018, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. Ai më pas është bërë përgjegjës për çështjet politike të talibanëve.

Por, shumë analistë dyshojnë se Baradar ka ndikim të madh mbi komandantët dhe luftëtarët në fushëbetejë.

Pavarësisht uljes së tensioneve me zinxhirin e ri komandues, shenjat e përçarjes midis rrjetit Hakani dhe këshillit të Kuetës janë shfaqur përsëri kur ekipi negociator i Baradarit ka nënshkruar një marrëveshje paqeje me Shtetet e Bashkuara në Doha të Katarit, në shkurt të vitit 2020.

Rivalitetet fisnore
Dalrymple thotë se ata që duan të kuptojnë dinamikën e ndryshimit të talibanëve në javët dhe muajt e ardhshëm, duhet të shikojnë konfigurimet fisnore në Afganistan dhe rivalitetet e vjetra fisnore pashtune.

“Nëse nuk e bëni llogaritjen fisnore, nuk mund të kuptoni se çfarë po ndodh në Afganistan”, thotë Dalrymple.

“Nuk ka ndarje të përhershme fisnore. Aleancat dhe besnikëritë mund të lëvizin nga muaji në muaj, java në javë. Por, ndarjet rrënjësore janë mjaft të qarta”, thotë ai.

Dalrymple përmend në mënyrë të veçantë rivalitetin fisnor midis klaneve Durrani dhe Ghilzai – një rivalitet ky që me shekuj u ka paraprirë talibanëve.

Ai thotë se klani Durrani përfshin “aristokratët dhe menaxherët”, ndërsa Ghilzai përfshin “nomadët, punëtorët e përditshëm dhe të shpronësuarit”.

Baradar, si shumë figura kryesore në këshillin Kueta, është anëtar i klanit Durrani. Pjesëtarët e këtij klani jetojnë kryesisht në pjesët jugore të Afganistanit, si provincat: Kandahar, Helmand dhe Uruzgan.

Mullah Yaqoob është nga fisi Hotak, i cili vjen nga dega Hotak e klanit Ghilzai. Por, ai gjithashtu është nga Afganistani jugor dhe ka lidhje të forta me talibanët e Durranit.

Luftëtarët nën komandën e tij kontrollojnë rajonin ku janë krijuar talibanët, si dhe qytetet Kandahar dhe Herat, provincën Helmand, kalimin kufitar Spin Boldak në Pakistan, të gjithë kufirin e Afganistanit me Iranin dhe kufirin me Turkmenistanin.

Sirajuddin Haqqani është nga fisi Zadran i klanit Ghilzai. Baza e tij e energjisë është në provincat juglindore Khost dhe Paktia, si dhe në rajonin fisnor të Vaziristanit Verior të Pakistanit.

Haqqani shihet si komandanti më i fuqishëm militant në Afganistan.

Si udhëheqës i rrjetit famëkeq Haqqani, territori që tani është nën kontrollin e luftëtarëve të tij përfshin Kabulin dhe qytetin verior Mazar-i Sharif, si dhe kalimet kryesore kufitare në Pakistanin veriperëndimor, në Uzbekistan dhe në Taxhikistan.

Sirajuddin Haqqani – i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara si trafikant ndërkombëtar i drogës dhe i shpallur udhëheqës terrorist – pretendohet se mban lidhjet më të forta të talibanëve me rrjetin terrorist të Al-Kaidës dhe me Agjencinë pakistaneze të Inteligjencës (ISI)./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb