NGA FOTAQ ANDREA*-

Kokat e Deas së Butrintit dhe Herkulaneas janë prej vitesh në Shqipëri, por të dyja pa trupat respektivë. Më 1981, si një përgjigje e sinjalit të alarmit dhënë për “grabitje historike” monumentesh, kthehen nga Italia në Shqipëri, në vendin e origjinës, koka e Deas së Butrintit dhe koka e Herkulanesë së madhe. Por pa trupat! Ngazëllimi I regjimi komunist do ishte I madh, por rikuperimi kishte qenë gjysmak. Ndaj: Është koha sot, të kthehen trupat! Një kokë pa trup, thjesht të kujton një barbari, një masakër, thotë autori, Andrea.

uk e kemi fjalën këtu për shprehjen “s’e ka kokën mbi sup”, që stigmatizon bukur “bëma” e “çbëma” të kujtdo që s’është në lartësi të vet. Fjala është thjesht për kokën e Deas së Butrintit që fatkeqësisht rri pa trup të vet në Muzeun Historik të Tiranës. E më keq akoma, në Butrint, ku venë e vendosin një kopje të kokës së saj mbi një alamet bazamenti tullash, përkrah një topi mesjetar (?!), pa kurrfarë lidhjeje historike e ideo-estetike. Mu sikur duan t’i thonë me zor, qepur me pe të bardhë e të trashë, turistit të brendshëm a të huaj: “Ja ku e kemi lashtësinë me mrekullinë Dea (kokëprerë!). Ja ku kemi edhe Aliun e Tepelenës me top nga kalaja e tij këtu pranë!”

Veçse s’ka si të mos kujtojmë që, më 1980, Hasan Ulqini, në librin e tij “Grabitës të monumenteve”, ka botuar tashmë, në një foto të rrallë, për dje dhe sot, shtatoren e plotë, kokë e trup bashkë, të Deas së Butrintit. Dhe jo vetëm foton e Deas, që simbolizon aq bukur krejt lashtësinë iliro-shqiptare, por edhe foton e shtatores së plotë të quajtur “Bukuroshja Herkulanea e Madhe”, me atë tis e veshje vashërie që i derdhet trupit të hajthëm që prej krelave dhe që i bën nder lashtësisë sonë po aq sa vetë Dea.
Më 1981, si një përgjigje e sinjalit të alarmit dhënë sa më sipër për “grabitje historike” monumentesh, kthehen nga Italia në Shqipëri, në vendin e origjinës, koka e Deas së Butrintit dhe koka e Herkulanesë së madhe. Bukur fort. Kthehen kokat, por pa trupat! Regjimi komunist do duartrokiste njëfarësoj, por dhembja në shpirt mbetej. Dhe mbetet. Sepse, le ta themi pa droje e me zë të fuqishëm: Është koha sot, të kthehen trupat! Një kokë pa trup, thjesht të kujton një barbari, një masakër. Për shembull, kokën e prerë të Aliut në Stamboll dhe trupin e tij të ndjerë e të nderë në Janinë. “Të prenë Ali Pasha, të prenë!” thotë kënga popullore, që do mund të krijonte, në simetri, të njëjtën jehonë: Të prenë Dea, të prenë, dhe ti, Herkulanea!”

As që kemi ndër mend t’i hyjmë këtu debatit “u grabitën/s’u grabitën” në kohën e fashizmit monumentet antike të trojeve shqiptare që përbëjnë për ne trashëgimi, pasuri e krenari historike dhe kombëtare, apo “u dhuruan/s’u dhuruan” ato nga Zogu te Musolini. Nuk duam të kundërshtojmë ç’ka thënë e shkruar Ugolini, po as Padre Prof. Berto Rolfo, që dënon përdorimin e shprehjes së dikurshme “u grabitën”, duke dëshmuar me penën e arkeologut të njohur italian se monumentet u dhuruan! Në fund të fundit, u dhuruan a s’u dhuruan ato, pak rëndësi ka. Fakti është që “mëkati” historik mbetet, kur çdo kokë antike kërkon trupin e vet, çdo trup antik (në Pojan e gjetkë) kërkon kokën e vet hallakatur ku e ku, si vetë kokat fluturuese të Meduzave e Gorgonave mitologjike. Sepse çdokush do të dëshironte e uronte fuqimisht bashkimin e kokave me trupat në emër të Faljes së Madhe, të fisnikërisë së shpirtrave, të trashëgimisë kombëtare, në emër të respektit të vetë lashtësisë së popullit shqiptar.

Po a është e sigurt që trupat, të paktën të Deas dhe të Herkulanesë për të cilat po flasim, janë në Itali? Një dëshmi e kemi falë studiuesit Hasan Ulqini, e ndoshta edhe nëpër inventarë të mbuluar nga pluhuri i harresës. Por dëshmi edhe më konkrete jepet te revista franceze me emër, e mirënjohura “Gazette des Beaux-Art”, vëll.V, 1931. Salomon Reinach (1858-1932), arkeologu i shquar francez, shpalos në të një panoramë të vlerave arkeologjike në Shqipëri, duke u ndalur posaçërisht e hollësisht te Dea e Butrintit. Ja si shkruan ndër të tjera:

“Si u pa e lulëzuar në kohërat greke e romake, Shqipëria, që deri dje shfaqej disi barbare, po na sjell që prej disa kohësh, falë dy misioneve franceze e italiane, prova të një qytetërimi të epërm që ky vend kishte arritur gjatë lashtësisë. Zbulimi më i rëndësishëm i bërë në Buthroton apo Butrinto duhet të na ndalë disa çaste.

Teksa misioni francez, i drejtuar nga Z. Léon Rey, po eksploron me sukses Apoloninë, e cila na ka dhënë kohët e fundit një pasqyrë të bukur greke dhe shumë statuja mermeri, zbukurime të një godine të madhe që ende nuk është spastruar plotësisht, misioni italian i drejtuar nga Zoti Luigi Ugolini e ka përqendruar veprimtarinë e vet kryesore në Feniki [Finiq] e në Butrint.

Finiqi është një akropol i madh, më i shtrirë nga ai i Athinës, rrethuar me mure të larta; është gjetur në të deri tani busti i një djaloshi, por kërkimet janë ende në fillim. Në Butrint, muri rrethues daton nga shekulli V (p.e.r.). Janë nxjerrë në dritë ndërtime të shumta, një nekropol i pasur, mozaikë, statuja, njëra syresh e një luftëtari, nënshkruar me emrin e një artisti grek ende i panjohur. Monumenti më i çmuar, tashmë i njohur me emrin Dea e Butrintit, është i lartë 2.40 m; mbreti i Shqipërisë ia dha Z. Musolini, i cili e ka ekspozuar në Muzeun e Kapitolit (nënvizimi është i yni). Sipas vetë vendit ku është zbuluar – brenda stelës së një ngrehine të madhe – nuk kemi të bëjmë, siç mendohej, me një Higi apo Prozerpinë, por në fakt me një Muzë. Koka, e gjetur disa ditë pas trupit, është një mermer grek, shumë më i përpunuar se pjesa tjetër, që është e përbërë nga mermer vendi. Ky ndryshim lëndor, që përkon me dallimin në realizimin e pjesës së trupit është vënë re shpesh në kopjet më të mira të periudhës së hershme romake; ka shumë gjasa që koka të jetë skulpturuar në Athinë, drejtpërdrejt mbi bazën e origjinalit, ndërkohë që trupi është punuar në vend sipas ndonjë derdhjeje në bronz apo ndonjë maketi të mirë. Por e veçanta këtu, megjithëse jo rast i vetmuar (shih Venus Genitrix – Afërditën e Luvrit gjetur në Kampanie) është se koka, një nga më të bukurat që zotërojmë, është praksiteliane, e mesit të shekullit IV, ndërsa trupi, me gjinjtë e distancuar dhe palat e shumta të pëlhurës mbështjellëse riprodhojnë pa dyshim një origjinal më të lashtë, që duhet të jetë i gjysmës së dytë të shekullit V. Kështu, koka dhe trupi janë me prejardhje skulpturash nga më të shquarat, por jemi të pafuqishëm për një përcaktim më të saktë. Ngurroj të them se koka është një origjinal grek, edhe pse ky mendim mbrohet nga ata që e kanë parë e studiuar nga afër atë mermer. Origjinal apo kopje e shkëlqyer, në fund të fundit, kemi të bëjmë këtu me një ekzemplar të admirueshëm, ruajtur në mënyrë të përkryer. Floknaja virgjinale, me valëzime të dendura që vijnë e ngjiten përsipërmi, të bën të mendosh me të drejtë për ato koka të rralla të stilit të Praksiletit, aq shumë të famshme gjatë shekullit IV. […] Por le të mos nxitojmë të shprehemi se paskemi të bëjmë me origjinal të Praksiletit. Po prapë, le ta admirojmë atë, sepse, ndonëse nuk dimë asgjë nga krijuesi i Së Përjetshmes femërore [Praksileti], të paktën, le ta risjellim në kujtesë falë kokës shqiptare të Deas.

Duhen pritur rezultate të shumta nga kërkimet në Buthroton me të arrirë në shtresat arkaike. Në fakt, kemi të bëjmë me një qytezë tepër të lashtë ku, sipas traditës së hershme pasqyruar nga Virgjili, mbreti sovran Helenus, i biri i Priamit, u martua me të venë e Hektorit pas vrasjes së Pirros [të parë] dhe themeloi këtë qytet sipas planimetrisë së Trojës. Aty priti vizitën e Eneut, duke ia paraqitur kësisoj Diodonit:

Përara bëj dhe dalloj, në atë truall të ri / të Pergamës krenare, një pamje modeste. / Ja portet e tij, muret ringritur mbi hirin e djeshëm. / Ja ajo sukë, si Ida vetë; ja ai lum, si Skamandra vetë. / Ja tek shoh portën Shke dhe kullat e Ilionit, / E i përlotur, nga ajo Trojë, emrin e saj ende adhuroj.
Virgjili ishte tepër i kujdesshëm për saktësinë gjeografike – madje më shumë i lirshëm tregohej me historinë – dhe e dinte fare mirë se, duke u shprehur në këtë mënyrë, Butrinti, që ishte në kohën e tij koloni romake, kishte ç’t’u tregonte të huajve nga mbetjet e veta të një të shkuare të largët”.
Ja, me këto fjalë e përfundon këtu profesori Reinach përshkrimin e tij për Dean tonë, dhe ne, duke nderuar kujtimin e tij, si përmbyllje, do të uronim me shpirt që thirrjen tonë për bashkim të kokave bukuroshe Dea e Herkulanea, me trupat e tyre të mërguar ta dëgjonin së paku vetë perënditë, në s’ka sy për të parë, veshë për të dëgjuar e mendje për të arsyetuar.

(d.b/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb