Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për t’i thënë po një marrëveshjeje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar thirrjet për marrëveshje dhe presin përparim në takimin e së hënës. Të dy udhëheqësit shkojnë në Bruksel mes kritikave në shtëpi.

Një pjesë e opozitës në Serbi pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandër Vuçiç për dështim në proces, i cili ndërkaq ka theksuar se mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin.

Nga ana tjetër në Kosovë një pjesë e opozitës tha se ka shumë paqartësi që lidhen me takimin e së hënës dhe propozimi nuk siguron marrëveshjeve përfundimtare por krijim të një “status-quoje” të re. Kujtojmë se Kosova tashmë ka hyrë në vitin e 16 të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb