Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE- A duhej (ri)vënë mbishkrimi i Sulltan Sulejmanit në Kalanë e Lezhës (i vitit 1522, aty ku kishte qenë shumë më herët)? Kjo është pyetja që lakohet prej datës 22 shator, kur ajo u vu mbi portën hyrëse të kalasë. “Sulltan Sulejmani, ka rikonstruktuar këtë kështjellë të bekuar, Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e (arkitektit) Dervish Muhamedi, i biri i Uzgur. Kryelarta kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 (ose me kalendarin gregorian, viti 1522)”, përkthehet mbishkrimi që është në osmanisht në një pllakë mermeri. Ndërsa mendimet kundra rivënies, nuk munguan që ditën e parë, dje, monumenti është gdhirë me shkarravina. “Albania. Mos u shitni te osmanët”, shkruhej me të kuqe në murin e kalasë. Kushdo që e ka shkruar, përveçse ka dëmtuar monumentin që po dje specialistët kanë shkuar ta pastrojnë, nuk ka ditur mirë as shqip, pasi fjalës osmanët i mungojnë dy gërma. Në fakt, dëmi këtë herë, jo veçse nga mungesa e kulturës për mbrojtjen e trashëgimisë, ka ardhur si reagim, si sulm ndaj vënies së pllakës. Dy janë arsyet pse kundërshtohet vënia e pllakës: Së pari, fakti që pllaka përmend Sulltan Sulejmanin dhe është në osmanisht është parë si ‘pushtim’ i monumentit nga islami, dhe promovimi i kulturës së pushtuesve; dhe së dyti, se me vënien e këtij mbishkrimi, kalaja identifikohet me periudhën osmane, duke lënë në hije, periudhat e mëhershme të saj(shek 3 p.e.s., periudha bizantine dhe ajo veneciane). Dje, përveç zërave kundër vënies së kësaj pllake, që nuk kanë dashur të dalin në media, “GSH” i është drejtuar drejtoreshës së IMK-së për një qëndrim lidhur me çështjen, pa marrë përgjigje prej saj. Nga ana tjetër, reagimet kundra dhunimit të monumentit, kanë qenë të Ministres Mirela Kumbaro (në FB) dhe Auron Tares(për GSH), i cili pak muaj më parë, risolli në vëmendje ekzistencën e pllakës. Ndërkaq edhe Helidon Sokoli i DRKK së Shkodrës, dha për “GSH” një reagim.
Reagimet
Mirela Kumbaro
Mos kini frikë nga monumentet e kulturës! Aq më shumë në një ditë feste paqeje dhe urimesh e përkushtimi për Tjetrin, dënoj me forcë çdo veprim që cenon kulturën, trashëgiminë, gjurmët e historisë, monumentet e kulturës siç të parët na i kanë lënë! Ne kemi detyrë të mbrojmë e të ruajmë çdo gur e shpirt që kemi sot! Kemi detyrë t’ua përcjellim brezave! Gjithçka është pjesë e identitetit tonë kulturor, kombëtar, ballkanik, europian, njerëzor! Mos kini frike nga monumentet! Monumentet janë dëshmitarë të historisë, por nuk e shkruajnë atë! Historinë e shkruajnë historianët. Ministria e Kulturës dhe restauratorët kanë detyrë të mbrojnë, të ruajnë e të promovojnë trashëgiminë, pa e deformuar, pa e zbukuruar. Këtë do e bëjmë të gjithë bashkë si një komb i qytetëruar! E kundërta ndodhte te barbarët, te armiqtë e kulturës, por edhe të vetvetes! Sot ata gjenden në krah të përbindëshit me emrin ISIS. Dënoj aktin barbar dhe primitiv të dorës mjerane që dëmtoi mbrëmë natën portën e saporestauruar të Kalasë së Lezhës! Ndërtimet e viteve 1500 nuk hiqen nga historia në vitin 2015 o trima të errësirës! Sikurse nuk fshihen gjurmët e origjinave tona të lashta kudo në territor! Policia ka filluar veprimet. IMK dhe drejtoria rajonale ka filluar punën për pastrimin e kalasë, me paratë e taksapaguesve shqiptarë! I bëj thirrje komunitetit të sensibilizohet në mbrojtje të monumenteve kudo që janë! Mjeranëve, nëse nuk paguajnë ende taksat, i ftoj të mësojnë së paku gjuhën shqipe! Gëzuar Bajramin!
Auron Tare
Një nga aspektet e barbarisë së ISIS është lufta që ata i bëjnë kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Dëmtimi i monumenteve dhe prishja e tyre me eksploziv ka gjetur shumë jehonë në opinionin botëror për të treguar terrin e një civilizimi që ISIS kërkon tu imponojë kulturave të lashta të Lindjes së Mesme. Ajo që ndodhi mbrëmë me mbishkrimin e Sulltan Sulejmanit në Kalanë e Lezhës nuk është gjë tjetër por ISIS i kthyer me kokë poshtë, një barbari e cila në emrin e antiosmanizmit dëmton trashëgiminë kulturore dhe historinë e këtyre trojeve. Historia Osmane ashtu si historia veneciane apo anzhuine apo spanjolle apo romane ka lënë gjurmët e veta në Arbëri. Pretendimi se një mbishkrim mund të sjellë islamizim të një monumenti është tejet injorant dhe dritëshkurtër. Mbishkrimi i përket historisë së Kalasë së Lezhës dhe duhet të jetë në këtë kala. Vendin se ku e dinë specialistët, por që ky mbishkrim i përket kalasë nuk ka as më të voglin dyshim. Ashtu siç i përkasin edhe objektet apo mbishkrimeth elenistike, romane, bizantine, veneciane. Ndërsa për ata që natën dëmtojnë monumentin për hir të antiislamizmit apo kundër pushtuesit Sulejman mund të them se janë aq injorantë sa nuk kanë lexuar as përkthimin e mbishkrimit, i cili qartësisht thotë se një arbër i konvertuar nga aristokratët vendas të Skurajve është ai që ka punuar për otomanët dhe ka ringritur Kalanë e Lezhës, për otomanët ka bërë edhe mbishkrimin Otomanëve. Pra një arbër i konvertuar ashtu si shumë arbër të tjerë të cilët i shërbyen dhe më vonë u bënë pjesë e Perandorisë Otomane dhe lanë gjurmë të thella në historinë europiane që nga pushtimet deri në Vjenë e deri në mikpritjen që ju thanë hebrenjve që digjeshin të gjallë nga inkuizicioni spanjoll. A duhet ne të zhbëjmë historinë 500-vjeçare të periudhës otomane? A duhet t’i injorojmë ne këta arbër të famshëm vetëm se u bënë pjesë e Perandorisë Otomane. Vetëm mendje të prapëta dhe dritëshkurtra mund të pretendojnë diçka të tillë. Historia nuk zhbëhet, por studiohet dhe ruhet për brezat e ardhshëm të cilët pa historinë e të parëve të tyre nuk mund të jenë pjesë e një shoqërie normale. Dhunimi i mbishkrimit të Lezhës e tregon qartë këtë.
Helidon Sokoli
Mjeranë, të paditur, të pakulturë që duan të marrin peng një qytet të tërë, është në vendin e vet, është rikthyer aty ku dëshmohet nga studiues e udhëtarë të huaj që nga Heckardi, Hanni, Ippeni. Flet për rindërtimin dhe asgjë s’ka fetare në këtë mes. Mbishkrimi flet për fazën e fundit të ndërtimeve në kala, atë osmane e kurrsesi nuk zbeh antikitetin e dukshëm qartë. Eshtë rigjetur në vitet ’70 nga arkeologu Frano Prendi, në oborrin e një qytetari të Lezhës në lagjen ‘Sheher’. Ka qëndruar që atë kohë në magazinën e objekteve muzeore se Lezha aktualisht s’ka muze dhe se shtëpia u është kthyer pronarëve.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: