55 vite pas ditës kur Shqipëria u shpall vend ateist nga regjimi komunist, një konferencë pati në fokus “Kinostudion kundër klerit” duke trajtuar filmat artistikë që diskreditonin e denigronin klerikët.

Tryeza që bashkoi përfaqësues të klerit, institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të artistëve, synon të nxisë debat publik mbi ç’duhet bërë me këta filma që duke u shfaqur ende vijojnë të përçojnë propagandë kundër klerit.
Jonila Godole nga IDMC tha se “Regjimi përdori filmat për të denigruar, ndaj sot jemi këtu për të iniciuar një debat mbi çfarë duhet të bëjmë me këta filma, si duhet t’i shfaqim dhe mbase disa nuk duhen shfaqur më”.

Për ipeshkvin e Rrëshenit, “qëllimi i filmave nuk ishte e vërteta, por ideologjia. Duke përdorur vese që nuk e dimë nëse janë të vërteta ato denigronin sentimente religjioze ndaj sot, duhet t’i bëjmë vetes një pyetje?”.
“Censurë apo filtër hermeneutik, çështja e hermenutikës, e interpretimit, e kuptimit përmes disa filtrave që nuk janë censurë. Ky debat duhet të jetë akoma i gjallë mes nesh. Trauma është ende një faktor social dhe shoqëritë traumatizohen dhe e transmetojnë traumën nga brezi në brez”, tha Dom Gjergj Meta.

Sipas pedagogut Mark Marku, filmat mund të shfaqeshin lirisht nëse sistemi ynë i edukimit nuk do të çalonte por ai e sheh situatën disi kokëposhtë, gjykuar nga qasja e shtetit ndaj qytetarit.

“Ne nuk mund të shkëputemi nga totalitarizmi nëse këtë pjesë të njërës medalje e mbajmë të pacenuar. Ne nuk jemi në periudhë dekomunistizimi, ne jemi në një periudhë restaurimi të komunizmit”, tha Mark Marku.

Kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka, kërkoi propozime konkrete.

“Çështja është a e shpallëm ne diktaturën si genocid. Mendoj se këtu duhet të kishim filluar. Do të ishte më e efektshme nëse propozimet vijnë në komision në mënyrë që komisioni t’i kthejë në amendamente. Ligji i televizionit dhe i AMA-s është një ligj. Ne mund ta bëjmë më të shpejtë këtë gjë”, tha Açka.

Ndërsa në një anë filmat përcillnin një portretizim të nëpërkëmbur të klerikëve, dokumentet mbi kohën, tregojnë klerikët që u vranë dhe burgosën në emër të ideologjisë. Përfaqësuesi i kishës ortodokse ka një propozim konkret.
“Filmat të transmetohen jo të ndalohen, por atyre duhet t’u vendoset një tekst shpjegues në fillim dhe në fund të filmit ose një logo në cep të ekranit, gjatë gjithë kohës së transmetimit që të bëjë të ditur të shikuesi që këta filma përmbajnë propagandë komuniste”, tha përfaqësuesi i kishës ortodokse Thoma Shkira.

Perceptimet dhe zgjidhjet mbeten të ndryshme, duke treguar kësisoj se sa efektive ka qenë ajo propagandë, dhe deformimet që ka krijuar te një njeri i ri, që mbetet po aq njeri i ri.

“Kemi propagandën nga filmat e Kinostudios dhe kemi nevojë për një edukim përmes institucioneve arsimore e atyre kinematografike për të dhënë kontributin e klerit në shpalljes e pavarësisë”, tha Genti Kruja nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

“Me studentët në universitet që e flasin me dëshirë dhe e shohin komunizmin si diçka romantike, është një ëndërr. A ka ëndërr më të madhe se barazia?”, tha pastor Akil Pano.

E megjithëse mendimet e shikuesit si publik dhe grup interesi përfshijnë gjithë ngjyresat, regjisori Saimir Kumbaro nuk bie dakord as me titullin e tryezës as me ideologjinë. Për të, filmat shihen me humor.

“Më bën përshtypje që aty, Kinostudio Kundër Klerit. Kinostudio e ka mbaruar funksionin e vet. Mirë është të korrigjohet. Personalisht jam që filmat e para 90-ës ku ka superlativa për atë kohë, të ketë kinema si Strasburgu ku të shfaqen ata filma. Këta filma që të bllokohen, nuk bllokohen. Ata i shohin filmat tanë me humor, filma që e kanë kryer punën e vet. I përkasin një periudhë të caktuar dhe të shfaqen a të mos shfaqen duhet të ketë një grup pune”, tha Saimir Kumbaro.

Kumbaro pranon peshën e pushtetit në punën e artistëve megjithatë i sheh filmat me vlera.
Ndërkaq, në vazhdën e rekomandimeve që përfshijnë gjithë institucionet që administrojnë apo shfaqin këta filma, Ergys Mërtiri sjell në vëmendje viktimat.

“Kategorizimi i filmave, për këtë kam qenë gjithmonë. Ne na tremb fjala censurë. Por me këtë shkujdesje, ne pranojmë që të lëndohen grupe shoqërore e grupe interesi, ose grupe njerëzish që kanë qenë viktima. Nëse ne nga ne shkon e hedh në gjykatë një film, nëse është e ndershme i ndalon. Kemi nen në kushtetutë që ndalojnë gjuhën e urrejtjes”, u shpreh Mërtiri.

Arti është mënyra më e mirë për të prekur sentimentet që nuk i prekin fjalimet e podiumeve, as veprat në vëllime. Jo më kot, para 90-ës, prodhoheshin 14 filma në vit, sepse kinemaja mund të arrinte aty ku nuk arrinte diktatori. Si një reklamë e fshehtë që depërton më lehtë edhe kinemaja, përçon një Shqipëri që nuk ishte ashtu siç dukej, megjithatë na shfaqet si e tillë.

Për komisionerin e diskriminimit, ndalimi nuk është mundësi ndonëse ai pranon se janë materiale propagandistike.
“Nuk jam dakord për censurim, pasi mendoj që kjo kinematografi shërben si moment diskutimi për të kuptuar se sa e penetruese është një diktaturë në shoqëri, në kokën e njerëzve kinematografia është tipike. Problemi i këtyre filmave të para ‘90-ës është se nuk janë fiksion, sepse janë materiale të pastra propagandistike”, tha Komisioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi Robert Gajda.

Përtej ideologjisë, si term, çfarë do bëhet me komponentin e diskriminimit dhe denigrimit që e përçon atë? Duket se nuk ka një përgjigje.

Mërtiri pyet për një film që denigron njerëz për çështje klasore a duhet ta ndalojë komisioneri?
“Nuk jam për ndalim. Unë besoj se diskutimi është i gjerë se do merremi edhe me librat. Kur diskutohet në këto kultura, është që të përdoresh në demokraci instrumente autoritare që mund të keqpërdoren”, tha Gajda.

Ndërsa përqafuesja e transmetuesit publik ra dakord me rekomandimin për emisione debati para filmave apo një parathënieje, Komiteti i Helsinkit, pranoi që duhet të ketë titra shpjegues për filmat.

Instituti për Demokraci Media e Kulturë ka kërkuar ngritje të grupeve të punës për të klasifikuar nivelin e propagandës, rishikimin e përshkrimeve, pajtueshmërinë me ligjet e sotme, nevojën për një rezolutë mbi propagandën, ndërsa filmat vijojnë të shfaqen në disa platforma njësoj siç shfaqeshin gjatë diktaturës pa bërë asnjë dallim me kohën kur armiku ishte njeriu i lirë. Tryeza u organizua me mbështetjen e Konrad Adenauer.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb