Në një bisede televizive të pasdrekës, një koleg tek bënte pyetje i tha bashkëbiseduesit mes të tjerash se “Rama i quan gazetarët kazan”. Ky është një pohim i pavërtetë. Rama nuk ‘i quan kazan”, ai “na quan kazan”.

Ky është thelbi i përplasjes dhe reagimit të sotëm: shumëkush mendon se “Ai nuk e ka me mua”, ‘paketa antishpifje’ nuk më prek sepse “unë nuk shpif”, “pronari i medias ku punoj e ka mirë me qeverinë”, “mjaft me anarkinë në rrjetet sociale”, etj.

Thelbi është se të gjithë mendojnë për tjetrin dhe nuk e kuptojnë se një rregullator qeveritar për mediat, nuk prek një pjesë, por të gjithë punonjësit e kësaj industrie. Rrjedhimisht, një reagim kundër këtij rregullatori qeveritar nuk është reagim kundër Ramës, por kundër parimit të gabuar se “media duhet të rregullohet nga qeveria apo komisionet e saj”.

Rama një ditë do të largohet, por nuk ka pse gjobitjen e medias ta kontrollojë indirekt qeveria dhe kryeministri kushdoqoftë ai, Basha, Veliaj apo cilido tjetër.

1. Në kulmin e debatit mbi “paketën antishpifje”, gjykata e Tiranës gjobiti 7 gazetarë e portale me nga 1.5 milionë lekë të vjetra për një lajm të pavërtetë. Pra, legjislacioni ekziston, sistemi funksionon dhe kjo “paketë” është në rastin më të mirë, e tepërt dhe e panevojshme.

Media është pushtet më vete ndaj gjobën për shpifje e vendos një pushtet i pavarur, askush tjetër.

Të gjykojë një komision politik nëse një koleg ka shpifur ose jo, është njësoj sikur një komision gazetarësh të gjykojë nëse filan politikan shpif ose jo. Dhe t’i vendosë gjobë politikanit për shpifje. Dhe ta pushojë nga puna politikanin për shpifje. Afërmend kjo s’mund të ndodhë. E pra, s’mund të ndodhë as anasjelltas.

2. Nëse një komision i AMA-s ka në dorë t’u vendosë gazetarëve gjoba të majme financiare dhe madje të mbyllë media, pra t’i heqë nga puna, do ishte e udhës të ofrohej një zgjidhje alternative.

S’do ishte keq që qeveria të mendonte rikthimin e “kriminalizimit të shpifjes”, pra rikthimin e dënimeve penale për gazetarët që ajo i vlerëson si shpifës. Pse?

Përderisa punën e medias e vlerëson shteti e pushteti dhe jo siç ndodh në çdo vend normal – publiku e gjykata – jam i bindur se shumë kolegë do të preferonin të bënin ca ditë apo javë burg, në vend që të paguanin gjoba. Në situatën kur gazetarëve të mbytur nga pagat e ulëta, qiratë, kreditë e borxhet mund t’u vijë një faturë 8 milionë lekëshe nga AMA, s’do ishin të paktë ata që do ta falnin humbjen e përkohshme të lirisë në këmbim të kësaj fature.

Tingëllon cinike, por nuk është: Shumica e gazetarëve (po flas për gazetarët, jo për mercenarët) do të zgjidhnin burgun para detyrimit për të paguar 3, 5 apo 8 milionë lekë gjobë.

Në rastin më të mirë, “paketa antishpifje” do të rrisë vetëcensurën e gazetarëve.

3. Media ka mjaft probleme, por defekti i saj më i madh nuk është shpifja, por korrupsioni. Informaliteti, paraja e pistë, mercenarizmi janë disa nga simptomat më të rënda të medias sot. Ndoshta këto nuk shërohen me vetërregullim, por aq më pak me komisione politiko-administrative. Shërohen me shtet të fortë ligjor, transparencë dhe institucione funksionale.

Të thuash që industria jonë e ka të pamundur të vetërregullohet dhe për këtë lipset ndërhyrja e qeverisë, do të thotë ta tradhëtosh këtë profesion përfundimisht.

Rrumbullak 10 vite më parë protestonim poshtë zyrës së Berishës pas rrahjes së gazetarit Mero Baze. Asokohe pati kolegë që megjithëse nuk e raportuan hiç incidentin në mediat e tyre, iu bashkuan kolegëve në shesh. E mirëkuptueshme: ata nuk ishin pronarë të mediave ku punonin, por treguan se ishin pronarë të vetes së tyre. Të shohim nesër, a vazhdojnë të jenë akoma.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb