Sipas të dhënave më të fundit, janë 114,614 shtetas në të gjithë Botën të konfirmuar zyrtarisht si të infektuar me coronavirus. Nga këta, deri tani, në nivel global kanë humbur jetën 4030 persona. Ndërsa 64,276 janë shëruar. Siç duhet tashmë, pjesa më e madhe e tyre janë shënuar në Kinë, ndjekur nga Italia dhe Koreja e Jugut dhe Irani. Deri tani, virusi që po sfidon mjekësinë e përparuar botërore ka prekur 115 shtete dhe territore anembanë globit.

Gjithashtu sipas të dhënave shkencore, nga rastet aktive me coronavirus, ku aktualisht të infektuar janë 46,308 pacientë në gjithë botën, 88% e tyre janë me simptoma të lehta, ndërsa 12% me simptoma të rënda dhe kritike.

Në anën tjetër, nëse i referohemi 68,309 rasteve të konsideruara të mbyllura, 94% e tyre janë rikuperuar dhe janë shëruar plotësisht, ndërkohë që 6% kanë gjetur vdekjen. Pra, aktualisht, norma botërore e vdekshmërisë për këtë virus është 6%.

Shtete të ndryshme e kanë përballuar në mënyra të ndryshme emergjencën më të madhe shëndetsore që ka sfiduar ndonjëherë planetin tonë në vitet e fundit.

Kina, si vendi nga ku mendohet erdhi ky virus, në fillim u përpoq ta fshihte përhapjen e tij, por kur e pa që një gjë e tillë ishte e pamundur, edhe në një shtet komunist me media totalisht të kontrolluara, doli me një sërë masash, shumica e tyre ekstreme, duke mbyllur qytete e zona të tëra, e duke vendosur miliona njerëz në karantinë. Kush i shkelte rregullat e vendosura nga qeveria komuniste, përfundonte në burg.Pikërisht këto rregulla drakoniane dhanë efekte, duke bërë që aktualisht, gjithë ajo Kinë, me mbi 1 miliardë banorë, të raportojë së fundi vetëm 26 raste të reja, shoqëruar me 17 viktima.

Vijmë te Italia, e cila si një portë e rëndësishme hyrje daljesh, si një destinacion i preferuar turistik, edhe nga shtetasit kinezë, u shndërrua papritur, duke nisur nga 22 shkurti në vendin më të goditur evropian nga rastet e coronavirusit, duke u bërë aktualisht edhe vendi i dytë pas Kinës, si për numrin e të prekurve, ashtu edhe të viktimave, në mënyrë ende të pashpjegueshme jashtëzakonisht shumë të lartë. Por, ndryshe nga Kina, në vend që të aplikonte menjëhërë masa të rrepta shtrënguese, qeveria atje gaboi, e ndikuar pak edhe nga stili i vetë italianëve, të dhëna pas qejfit, jetës së shopingut, kafeve, etj. Koha tregoi se brenda një periudhe shumë të shkurtër, virusi doli jashtë kontrollit, duke e detyruar dje kryeministrin Conte të “kycë” tërë vendin, duke e vendosur gjithë Italinë në karantinë. Pra, nëse deri dje flitej për termin “vetëkarantinim” të atyre që kishin histori kontakti me persona të infektuar, apo dyshonin se ishin prekur, sot “vetëkarantinimi” është për detyrim, jo me ndërgjegjje. Ndërkohë, spitalet, sidomos në zonat me të prekura, si në rajonin e Lombardisë janë realisht në emergjencë dhe nuk kanë kapacitete në seksionin e terapisë intensive për të pritur më pacientë të tjerë.

Tani, le të kthehemi te Shqipëria, e cila nuk krahasohet me kapacitete, fuqi ekonomike, njerëzore, infrastrukturore, as me Kinën, e as me Italinë. Debati që ekzistonte dhe vijon ende është: a duhet të kishim mbyllur kufijtë, në momentin kur pamë përhapje shumë të madhe të rasteve në Itali? Pyetja që shtrohet është e drejtë dhe u zgjodh që Shqipëria të mos vetëizolohej dhe ja që së fundmi u shfaqën edhe rastet e para këtu, me dy pacientë zero aktualisht, të dy të kthyer, njëri nga Firencë dhe tjetri nga Milano. Pacienti i parë zero rezultoi të kishte infektuar edhe 4 të tjerë, ndërsa pacienti tjetër zero nuk dihet ende se sa persona të tjerë ka infektuar. Nëse do të kishim mbyllur kufijtë, a do të kishim raste me Covid 19 këtu në Shqipëri? Nuk di të them, por personalisht mendoj se ndoshta duhet të ishin ndaluar fluturimet, sidomos me zonat e kuqe të Italisë, me Bergamon, me Milanon, me Venecian….

Gjithsesi, çfarë u bë u bë, ajo që është më e rëndësishme tani është përgjegjëshmëria e gjithsecilit prej nesh. Jo më kot, kryeministri Conte apeloi mbrëmë se italianët duhet të ndryshojnë mënyrën e jetesës. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne shqiptarët, për të minimizuar sadopak pasojat e kësaj flame. Prandaj o njerëz:

Mos u përfshini nga paniku!

Ndiqni këshillat e mjekëve, të cilat janë bërë publike dhe besoj i keni lexuar shumica!

Mos bëni humor bajat, se nuk është as koha, as momenti!

Tregoni kujdes maksimal, e kam këtë apel për të tërë ata persona që punojnë në njësitë e shërbimit, por duke përfshirë kolegët e mi gazetarë dhe operatorët e terrenit, sepse mund të bëheni lehtësisht bartës për shkak të kontakteve të shumta që keni me persona të ndryshëm!

Shmangni grumbullimet e panevojshme dhe madje shmangni edhe kafetë (se nuk ka sens të anullohet shkolla dhe t’i shohësh të tërë studentë e nxënës në kafe, ngjitur e ngjitur me njëri-tjetrin)

Mos u merrni fare me politikë (sporti i preferuar i shqiptarëve), por dëgjoni vetëm profesionistët!

Mos përhapni informacione, apo këshilla “fake”, siç kam parë të qarkullojnë shumë ditën e djeshme, edhe te miq të mitë gazetarë, ose jo!

Zoti na bekoftë e na mbroftë të gjithëve!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: