Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, diskutoi mbi situatën aktuale të PD-së dhe mundësinë e largimit të Sali Berishës nga drejtimi i partisë.
Topalli u shpreh se Berisha është larguar në vitin 2013, duke i dhënë mundësi palës tjetër për të realizuar një rotacion. Ajo e kritikoi përjashtimin e tij nga partia si një akt të padrejtë dhe të pabesueshëm në një demokraci, duke theksuar se një veprim i tillë ndodh zakonisht në autokraci.
“Vendi i kryetarit merret vetëm me punë dhe sakrificë. Ai ka fituar me vota dhe është kryetar. Ai punon 10 herë më shumë se të tjerët,” tha ajo.
Në lidhje me mundësinë e saj për t’u bërë kryetare e PD-së, Topalli theksoi se nuk e ka synuar dhe as e synon këtë post, duke nënvizuar se ajo është e përkushtuar ndaj angazhimeve të saj aktuale në parti.
“Berisha është larguar në 2013. U largua duke i dhënë mundësi palës tjetër që të bëhej rotacioni. Por ajo që ndodhi me përjashtimin e padrejtë, për të bërë emërime në PD, është gjëja më e pabesueshme në një demokraci. Në autokraci ndodhin këto. Debatin e ngre pushteti për të krijuar vorbulla të tilla. Por vendi i kryetarit merret vetëm me punë, sakrifica, është beteja më e tmerrshme. Ai ka fituar me vota dhe është kryetar. Ai punon 10 herë më shumë se të tjerët të marrë së bashku. Unë kryetare e PD? Nuk e kam synuar dhe as e synoj”, u shpreh Topalli.
(BalkanWeb)