Institucionet e Kosovës për të disatën herë po lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por Kushtetuta e Kosovës nuk e parashikon që një shtet tjetër mund të organizojë zgjedhje brenda territorit të saj.

Madje nuk është parashikuar që ndonjë organizatë ndërkombëtare, siç është në këtë rast, OSBE mund t’i lejohet të mbajë zgjedhje në Kosovë.

Kjo pasi, i vetmi institucion që mund të organizojë zgjedhje në territorin e Kosovës, sipas nenit 139 të Kushtetutës, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”, thuhet në pikën 1 të këtij neni të Kushtetutës, raporton Kosova Press.

Nga ana tjetër, kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar dje se zgjedhjet në veri mbahen me lejen e tij, pasi siç ka shtuar ai, këto zgjedhje janë mbajtur në Kosovë që nga viti 2011.

Partia opozitare, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri e ka cilësuar si gjunjëzim para tyre. Ndërsa nga Presidenca dhe subjektet tjera politike nuk ka pasur ndonjë reagim deri më tani.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb