TIRANË

Në letrën drejtuar Komisionit të Ligjeve, Presidenti Ilir Meta ka disa pyetje drejtuar anëtarëve të këtij komisioni.

“Presidenti i kërkon Kuvendit të marrë kohën e nevojshme para se të ulen të diskutojnë bashkarisht dhe publikisht. Kjo kohë duhet të jetë e mjaftueshme për të reflektuar gjithsecili prej deputetëve paraprakisht me veten dhe t`u japë përgjigje pyetjeve:
– Jeni të gatshëm dhe a mundeni të hetoni veten tuaj?!
– Jeni të gatshëm të hetoni kolegët e partisë suaj?!
– Jeni të gatshëm të hetoni mosveprimin e anëtarëve të organeve të drejtësisë që ju keni zgjedhur?!
– Jeni të gatshëm të hetoni “shefin” tuaj?!” citohet në letër, ndërsa thekson se duke mbajtur në konsideratë volumin e informacionit që duhet diskutuar, Presidenti i Republikës, mbetet në pritje të reflektimit dhe përgjigjes suaj për sa më sipër, dhe është i gatshëm për t`u takuar, diskutuar e për tu shprehur me Komisionin e Ligjeve edhe pse virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-wEBEX, në datën 10 maj 2021, datë kjo që përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare.

Në shkresën e tij, kreu i shtetit, ka sjellë në vëmendje shkeljen e Kodit Zgjedhor sipas tij, përmes materialeve propagandistike vendosur në vende publike në qytetet Gjirokastër, Durrës dhe Tiranë.

“Vendosja e këtyre materialeve propagandistike është tregues i qartë i ndikimit politik të qeverisë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, Drejtorive Vendore të Policisë të këtyre qyteteve, si dhe ndaj bashkive Gjirokastër, Tiranë, Durrës etj, të cilat edhe pse janë përgjegjëse për mbarëvajtjen dhe realizimin e disa detyrave të rëndësishme që lidhen me këto çështje të procesin zgjedhor, nuk kanë ndërmarrë masat e duhura për përmbushjen e tyre, sipas ligjit“, thekson Meta.

Pjesë nga letra e Presidentit drejtuar Komisionit të Ligjeve:
Kushtetuta parashikon se e drejta themelore për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, si dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë demokratik dhe secili prej nesh ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime.
Presidenti i Republikës përgjatë gjithë veprimtarisë së Tij, me qëllim mbrojtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese, ruajtjen e integritetit të këtij procesi zgjedhor, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, fakti, apo rrethane që lidhet me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, apo që përbën krim zgjedhor.

Presidenti i Republikës, në mbrojtje të këtij procesi zgjedhor me qëllim vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit zgjedhor, ka denoncuar në organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, mbi 28 denoncime, ndërkohë që ka bashkëpunuar dhe ka informuar në mënyrë të vazhduar misionin e OSBE/ODHIR, trupin diplomatik në Tiranë, për të gjithë këto kallëzime, si dhe për problematikat e tjera, apo shkeljet e ligjit, të shfaqura apo të konstatuara përgjatë procesit zgjedhor dhe fushatës elektorale.

Gjithashtu Presidenti i Republikës, ka bashkëpunuar me shoqërinë civile organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata që kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor, për të sensibilizuar dhe për të garantuar se çdo fenomen negativ që përbën vepër penale, apo shkelje të ligjit, të evidentohet, rregjistrohet, dhe hetohet brenda një afati të arsyeshëm.

Presidenti i Republikës, për çdo rast, fenonem apo ngjarje që tregonte për rritje të konfliktit ka mbajtur qëndrime të prera, të menjëhershme, me qëllim normalizimin e situatës, dhe realizimin e një procesi zgjedhor sa më të qetë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Sa më sipër, dhe duke mbajtur në konsideratë volumin e informacionit që duhet diskutuar, Presidenti i Republikës, mbetet në pritje të reflektimit dhe përgjigjes suaj për sa më sipër, dhe është i gatshëm për t`u takuar, diskutuar e për tu shprehur me Komisionin e Ligjeve edhe pse virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-wEBEX, në datën 10 maj 2021, datë kjo që përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare.

Nëse ky ka qenë qëllimi i njoftimit tuaj, lutemi të na konfirmohet paraprakisht, orari i takimit, në rrugë shkresore dhe elektronike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb