TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta, është shprehur në “Open” në News24, se e rëndësishme për Presidentin e ri është që të mbrojë Kushtetutën. Ai nuk pranoi të prononcohej nëse mazhoranca e ka kapur Presidencën me zgjedhjen e Bajram Begajt, por tha se ky ka qenë qëllimi i mazhorancës.

“Opozita ia la praktikisht edhe Presidentin pas 24 korrikut kësaj mazhorance. Ajo ta vendoste, nuk kam asnjë iluzion. Që nga 2008 fillojnë të tëra.

Për mua e rëndësishme është të mbrojë Kushtetutën. Nuk mund të them a e ka kapur apo jo, sepse do paragjykoja kandidatin. Qëllimi i mazhorancës ai ka qenë, për ta kapur”, tha Meta.

A e tejkalon kandidatura e z. Begaj këtë mazhorancë?

“Mund ta tejkalojë, i ka të gjitha mundësitë, nëse ka qëllime të qartë në mbrojtje të demokracisë, Kushtetutës”.

Lidhur me rolin e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit ai tha:

“Nuk është se kam ndonjë mendim të lartë për opozitën dhe këtë e kam shprehur dhe më përpara. Nuk jam marrë shumë me opozitën sepse ajo i ka dobësuar aq shumë pozitat e saj, sa nuk kishte nevojë të merresha me opozitën në atë revansh të mazhorancës”, tha Meta.

I pyetur nëse do kishte qenë më mirë një politikan me përvojë, Meta theksoi se kjo nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që Presidenti të mbrojë Kushtetutën e të udhëhiqet nga interesi kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb