TIRANË

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla tregoi në “Frontline” në News24 komunikimet me disa nga liderët në vend pas zgjedhjes së saj në krye të Kuvendit. Ajo tha se nuk ka pasur komunikim me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, teksa me Presidentin Ilir Meta tha se është takuar në Presidencë gjatë betimit të qeverisë, ku edhe e ka uruar.

Ajo konfirmoi dhe komunikimet me paraardhësin e saj Gramoz Ruçi.

“Nuk kam pasur komunikim me zonjën Kryemadhi. Kam marrë 79 vota, janë dhe 2 vota që kanë ardhur nga deputetë të tjerë. Unë u jam falënderues të gjithëve dhe do punoj për të gjithë njësoj si për ata që votuan dhe ata që e grisën për të bërë të mundur funksionimin demokratik normal të parlamentit.

Nuk kam pasur komunikim me Presidentin, kemi pas një takim gjatë kohës së betimit në Presidencë, thjesht një përshëndetje dhe një urim nga zoti Ilir Meta.

Me z. Ruçi kam komunikuar patjetër. Dua t’i uroj jo vetëm shëndet e mbarësi por edhe t’i them një faleminderit për modelin që solli në politikë dhe në krye të kuvendit. Patjetër që kam marr e do marr këshilla nga zoti Ruçi”, deklaroi Nikolla.

Por si do jetë drejtimi i saj në krye të Kuvendit?

“Do jetë ai që duhet të jetë. Mënyre qytetare dhe etikë komunikimi por duke respektuar rregulloren e parlamentit. Nëse do të fillonim me shkeljen e kodit të rregullave patjetër nuk bëjmë detyrën mirë. Do të jem respektuese e kodit të rregullave në parlamentin e Shqipërisë, ashtu sikurse do jem maksimalisht e kujdesshme për të reflektuar qytetari dhe etikë. Nuk do ketë replika e kundër replika me të njëjtën monedhë. Është e nevojshme një paqtim, jo ulje të debatit, por duhet të jetë në mënyrë qytetare”, tha Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb