Nga: ARBEN BRAÇE *
Ne kemi qeverinë më të re në historinë e Shqipërisë. Zgjedhja ime ishte që të kishim ministra që nuk kishin qenë kurrë më parë ministra. Në politikë përvoja është ajo që vret inovacionin dhe reformat”, citon kryeministri Rama, në një intervistë të botuar këto ditë për “Harvard Gazette”, duke paraqitur haptazi për herë të parë konceptin e tij politik për qeverisjen dhe për filozofinë e përzgjedhjes së burimeve njerëzore për formimin e qeverisë dhe të administratës së Rilindjes. Më tej jepen detaje se si do të zhvillohet ky bashkëpunim ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, që nëpërmjet Qendrës për Zhvillimin Ndërkombëtar, synon të adresojë rrugët e rimëkëmbjes ekonomike të vendit tonë. Në mënyrë eksplicite, me anë të kësaj filozofie kryeministri përligj largimin e mijëra specialistëve që kishin përvojë në administratën shtetërore shqiptare, si dhe vendosjen në krye të saj, të specialistëve dhe ministrave të rinj dhe pa asnjë eksperiencë, si dhe distancimin nga personat me eksperiencë dhe përvojë në partinë e tij.
Po cilët do të jenë ata që sipas këtij arsyetimi do të jenë ekipi që me fuqinë e tyre nuk do të bëhen pengesë për zhvillimin e inovacionit dhe të reformave? Natyrisht të diturit, të rinjtë, të cilët sipas këtij arsyetimi, duhet të qëndrojnë në majë të qeverisë! Po a kemi ne kaq shumë njerëz të ditur në krye të qeverisë dhe të administratës sonë? Natyrisht që mund të jenë shumë pak, dhe nuk mund të bëhen ylli i Davidit, për të tërhequr pjesën tjetër të “paditur” dhe, për më tepër, pa eksperiencë.
Cilëtdo të kenë qenë ata që mund të kenë shtyrë kreun e qeverisë që të besojë në një filozofi të tillë pavarësisht nga titujt dhe pozicionet që mbajnë, ose janë profanë, në fushën e politikës, ose dashakeqës, ose pa dyshim nuk janë kuptuar drejt, nga kreu ynë i qeverisë, i cili ka bërë deri tashmë për pasojë shumë kurbane, si në drejtimin e institucioneve të administratës, ashtu edhe të institucioneve shkencore shqiptare. Aktualisht debati midis përvojës dhe dijes është një debat që u përket shekujve të kaluar. Dhe vërtet është dija ajo që e ka çuar shoqërinë përpara, por edhe eksperienca ose përvoja, nga ana e saj, është një domosdoshmëri për dijen, dhe një nga burimet kryesore të zhvillimit të saj, dhe jo pengesë për zhvillimin e saj.
Sidoqoftë, për eksperiencën e moderuar botërore vendi i të diturve, janë institucionet shkencore, akademitë e shkencave, katedrat e universiteteve, puna kërkimore hulumtuese e pavarur etj. Ndërsa në politikë njerëzit vendosin se si duan të jetojnë, dhe për këtë duhet të përcaktojnë objektiva, drejtime, dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për to. Ata duhet t’i marrin vendimet me anë të vlerësimit dhe për këtë duhet të kenë jo pak përvojë. Pikërisht për këtë zgjedhësit nuk vendosin sipas kriterit se kush është më inteligjent, por se kush i ofron alternativën më të përshtatshme për interesat e tyre. Jo më kot nga ana tjetër janë krijuar me qindra institucione shkencore, që nga SHBA, Gjermani, Angli, Francë, Kanada, Japoni etj., të cilat i ofrojnë ekspertizë shkencore administratës qeverisëse, e cila përzgjedh politikisht alternativën më të përshtatshme për t’ua ofruar zgjedhësve, me qëllim që të mund të përmirësojë jetën e vendit. Sepse politika është përgjegjëse për të mirën e përbashkët, por nga ana tjetër ajo nuk mund të vendosë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, sepse një gjë e tillë vendoset nga shkenca. Vendimet politike janë në radhë të parë vlerësime, dhe ata që vlerësojnë, sigurisht duhet të dinë se çfarë vlerësojnë. Dhe vlerësimi nga ana e tij nuk mund të përvetësohet nga askush, as nga shkencëtari dhe nga specialisti më i zgjuar. Kush ka rëndësi më shumë; ruajtja e mjedisit në një komunitet, apo hapja e një mijë vendeve të reja pune; rritja e çmimit të energjisë elektrike apo kompensimi i shtresave në nevojë; shkatërrimi i ndërtimeve pa leje apo legalizimi i tyre; rritja e produktivitetit bujqësor apo reduktimi i kimikateve në këto produkte; shkatërrimi i një peizazhi buzë një lumi apo një qarkullim më i lirë i transportit rrugor etj. Në përgjigjen e të gjitha këtyre pyetjeve, ekspertiza shkencore mund të japë pak kontribut. Aty ku kërkohet që ne të vlerësojmë, nuk gjykojmë më shkencërisht, por politikisht. Dhe për këtë duhen politikanë me eksperiencë, të cilët janë në gjendje të mbajnë përgjegjësi kur vendimet janë të ndryshme nga synimet. Vendimet e politikanëve nuk janë pjesë e “condition politica”, por e “conditio humana”, që do të thotë që me vendimet e tyre n.q.se janë të gabuara mund të prekin direkt të ardhmen e njerëzve, dhe për këtë duhet të marrin në konsideratë rrezikun dhe përgjegjësinë përkatëse. “Kush mendon se mund t’i shpëtonim ‘conditio humana’, përmes kalimit të autoritetit, tek të diturit, tek më të diturit, mund të shkaktojë me siguri vetëm mynxyra”, thotë me të drejtë politikani gjerman me eksperiencë Erhard Eppler, me propozimin e të cilit është formuar GTZ (Shoqëria për Bashkëpunim Ekonomik), e cila ka dhënë një ndihmesë të konsiderueshme për sendërtimin e ndihmës teknike për zhvillim. Eppler në eksperiencën e tij të gjatë si ministër i Ekonomisë, por edhe si deputet, evidenton se janë kursyer sa e sa miliardë, që do të ishin derdhur në investime të gabuara, vetëm nga fakti se një grup deputetësh të Bundestagut, guxoi të vinte në pikëpyetje prognozat e ekspertëve shkencorë të energjisë elektrike, mbi rritjen e konsumit të saj, për të cilat në atë kohë nuk dyshonte askush dhe që detyruan zhvillimin e një debati publik. Përpjekja e sotme me anën e futjes së personave pa përvojë në administratë dhe në krye të shtetit, për të kufizuar politikën vetëm në moderim, dhe për t’u dhënë përgjegjësi politike përfaqësuesve të kualifikuar të një shoqërie të dijes, mbështetet në një gabim logjik. Vendimi absolut, pra i shkëputur nga çdo lloj vlerësimi, nuk ekziston në politikë.
Se deri ku do të shkojë dëmi i një filozofie të tillë me nxjerrjen jashtë lojës së politikës të brezave të tërë shqiptarësh që kanë dhënë kontribut në jetën politike dhe administrative dhe përfshirjen vetëm të shtresës së të rinjve në moshë, përgjigjen më të argumentuar na e jep ish-këshilltari i Tony Blair, Anthony Giddens, i cili me të drejtë evidenton se: “Çdo politikë në shekullin e 21-të duhet të dijë se çfarë është e vlefshme të ruhet. Kohët kur politika e linte veten plot besim në duart e ‘progresit’ të përgjithshëm nuk kthehen më. Dhe aty ku përvojat dhe traditat në mënyrë fondamentaliste, largohen nga çdo kritikë, fanatizmi hedh në erë shoqërinë”. Sepse n.q.se duam që t’i shpëtojmë çfarëdoshmërisë postmoderne, detyrimisht që kemi nevojë për respekt ndaj përvojës dhe eksperiencës, si dhe një vigjilencë mirëdashëse ndaj gjithçkaje që shitet si progres.
Patosi inovativ që ka pushtuar kryeministrin, me përfshirjen vetëm të njerëzve të rinj dhe pa përvojë rreth tij, duke shkatërruar solidaritetin kolektiv midis brezave (mes të rinjve dhe më të moshuarve), flet më shumë për epitetizëm populist sesa për koncept politik. Sigurisht, inovacionet janë të nevojshme nëse ekonomia duhet të mbetet e aftë për konkurrencë. Por nga ana e saj, politika nuk është në gjendje t’i urdhërojë ato, dhe se inovacionet nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë rruga e artë në luftën kundër papunësisë. Inovacionet kursejnë gjithmonë punë njerëzore. Por nuk është detyrë e politikës të aprovojë himnet që i thuren inovacionit, por të bëjë dallimin mes inovacionit të dëshirueshëm dhe atij të padëshirueshëm, sepse përndryshe edhe klonimi i njerëzve do të ishte inovacion.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: