Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka analizuar krizën e rëndë në këtë parti duke bërë përgjegjës Lulzim Bashën të cilin e cilëson të larguar praktikisht nga drejtimi i saj. E ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Topalli deklaroi se në këtë situatë që ndodhet PD vetëm Sali Berisha mund të arrijë të bëjë bashkimin e madh.

“Për këtë situatë që ndodhet, vetëm Berisha është ai që mund të bashkojë dhe pajtojë PD-në”, tha ajo. Lidhur me faktin se Berisha është shpallur non grata nga SHBA dhe nëse ai zgjidhet kryetar SHBA ndërpret marrëdhëniet me PD, Topalli shprehu bindjen se Berisha nuk ka qenë kurrë i korruptuar dhe se shpreson se vendimi i sekretarit të Shtetit Antony Blinken të hiqet siç ka ndodhur tre muaj më parë me dy ministra në Turqi. Topalli gjithashtu e quajti ndërhyrje në punët e brendshme të PD-së nga ana e ambasadores amerikane Yuri Kim kur deklaroi se për shkak të një individi PD-së i duhet të hante bar. “Në bazën e parimeve të PD-së është SHBA dhe në historinë e saj kjo parti ka patur marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA. Tani Basha nuk i duhet më askujt”, tha Topalli.

Ish-numri dy i Partisë Demokratike u pyet nëse Berisha është përgjegjësi numër një që Lulzim Basha jo vetëm u bë kryetar por edhe drejtoi PD-në nga njëra humbje në tjetrën. Topalli e përjashtoi përgjegjësinë e vetme të tij. “Për mua Sali Berisha nuk është përgjegjësi numër një. Përgjegjës janë ata që e kanë mbështetu Bashën me servilizëm dhe me pragmatizëm pa asnjë vlerë. Janë po këta që tani mendojnë që secili prej tyre mund të jetë kryetar i PD”, tha Topalli. Por Topalli tregoi ironi therëse teksa e pyetur se cili ishte mendimi për Grida Dumën, nënkryetarja e PD-së që dha dorëheqjen së fundmi dhe kërkoi largimin e Bashës nga drejtimi i PD. “Nuk e njoh Grida Dumën. Kush është kjo?” ironizoi Topalli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb