Kryebashkiaku Erion Veliaj foli në studion e emisionit “Real Story”, në “News 24” për fushatën zgjedhore në kushtet e një pandemie globale.

Ai tha se partitë politike duhet të përshtaten, pasi sipas tij i duhet dhënë prioritet maksimal shëndetit. Gjithashtu ai tha se mitingjet politike mund të bëhen në mënyrë virtuale.

“Si kudo në botë zgjedhjet do të jenë në kushtet e pandemisë. Policët janë aq sa janë, edhe unë vetë stresohem dhe them kalova, pash autobusin dhe pyes të mit pse nuk po merren masa. Njëri prej tyre më tha që kemi më shumë autobusë se policë. Policia mund të vendosë 200 gjoba në ditë, por jo 200.000 gjoba. Duhet thënë që o njerëz duhet të kujdesemi më shumë për veten. Takimet do i kemi 10 veta. M’u duk një zgjedhje shumë e mirë e Cilibashit me Çuçin që në zgjedhje të përdoren kartat e ID që kanë skaduar. Do të gjejmë mënyra të përshtatemi, ndoshta bëhen mitingjet virtuale”, tha Veliaj.

Veliaj foli dhe për marrëdhënien me kryeministrin Rama. Ai tha se që nga viti 2005 komunikon çdo ditë me kryeministrin dhe marrëdhënia mes tyre është tepër e mirë.

“Unë besoj që kush punon mund të punojë më shumë. Unë ha inat më shumë punë. Po fjete, veç spotit të gjumit nuk ke çfarë thua. Po punove ke shumë kërkesa tek vetja dhe ke ku kapesh. Unë kam ku kapem dhe për të mitë. Dhe me kryeministrin hahem me njëri-tjetrin. (A jeni ftohur me kryeministrin?)Nëse kundërshtarët tanë i kanë varur shpresat aty, ne jemi në marrëdhëniet më të mira. U bë që nga 2005 nuk ka ditë që nuk takohem me Edi Ramën”, u shpreh kryebashkiaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb