Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se vendi i tij nuk ka asnjë kundërshtim me anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian.

Ndërsa po mbante fjalën e tij në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, Putin është pyetur në lidhje me perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

“Nuk kemi asgjë kundër. Nuk është një bllok ushtarak. Është e drejta e çdo vendi të anëtarësohet në unionet ekonomike”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai vuri në dyshim nëse ishte “e këshillueshme” që BE-ja të lejonte Ukrainën të anëtarësohej, duke thënë se Kievit do t’i duheshin subvencione të mëdha ekonomike që anëtarët e tjerë të BE-së mund të mos jenë të gatshëm t’i japin.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia po ndjek nga afër përpjekjet e Ukrainës për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Çështja kërkon vëmendjen tonë të shtuar, sepse ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për intensifikimin e diskutimeve në Evropë mbi temën e forcimit të komponentit të mbrojtjes së BE-së”, tha Peskov në një konferencë me gazetarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: